Dy panda gjigante nga Kina kanë mbërritur në Kopshtin Zoologjik të Atlantës, ku do të qëndrojnë për 10 vjet në kuadër të një marrëveshjeje për ruajtjen dhe shumimin e species.
6-vjeçari Ping Ping dhe 5-vjeçarja Fu Shuang udhëtuan rreth 8 mijë milje nga Kina drejt SHBA-së.
Ata u transportuan me një avion, të shoqëruar me bambu të freskët, ujë dhe ushqimet e tyre të preferuara.
Përpara udhëtimit, pandat iu nënshtruan një periudhe karantine dhe u trajnuan për të qëndruar në arkat e transportit dhe për t’u përshtatur me zhurmat e udhëtimit.
Megjithatë, vizitorët nuk do të mund t’i shohin menjëherë.
Ping Ping dhe Fu Shuang do të qëndrojnë rreth një muaj në karantinë, përpara se të prezantohen me publikun.
Ardhja e tyre në Atlanta ka edhe një rëndësi për programet e ruajtjes së pandave.
Kafshët konsiderohen ende të cenueshme dhe riprodhimi në robëri është veçanërisht i vështirë, pasi femrat janë pjellore vetëm për një periudhë shumë të shkurtër çdo vit.
Ping Ping dhe Fu Shuang janë përzgjedhur për moshën, shëndetin, karakteristikat gjenetike dhe personalitetin e tyre, me shpresën se do të çiftëzohen natyrshëm.
Dy pandat janë gjithashtu pjesë e asaj që njihet si “diplomacia e pandave”, përmes së cilës Kina ka përdorur prej dekadash huazimin e pandave si një formë të marrëdhënieve diplomatike me vende të tjera.
Sipas marrëveshjes, pandat dhe pasardhësit e tyre do të mbeten pronë e Kinës dhe do të kthehen atje në të ardhmen.
Lini një Përgjigje