Kuvendi i Kosovës mblidhet në seancë plenare, vendimi i Hagës për ish krerët e UÇK-së në rend dite

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në seancë plenare, ku në rend dite është miratimi i Deklaratës lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës të 16 shtatorit për ish-krerët e UÇK. Pas vendimit prej 81 vitesh burg në total për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, spektri politik përfshirë partinë në pushtet por edhe ato opozitare e cilësuan aktgjykimin e padrejtë dhe bënë thirrje për veprime institucionale në drejtim të vendosjes së drejtësisë.
Seanca pritet të nisë në orën 11:00.
Deputetët pritet të shqyrtojnë disa pika të rendit të ditës, përfshirë miratimin e procesverbaleve nga seancat e mëparshme dhe betimin e deputetëve.
Në rend dite është edhe zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Po ashtu, Kuvendi pritet të shqyrtojë formimin e komisioneve parlamentare, të nevojshme për funksionalizimin e punës së legjislativit.
Ndërkohë nëse deri më 6 tetor nuk zgjidhet presidenti, vendi shkon në zgjedhje më 15 nëntor, që do të nënkuptonte zgjedhjet e treta të jashtëzakonshme në më pak se një vit.
Ndërsa të dielën kryeministri, Albin Kurti ka pranuar një letër urimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një porosi nga kongresisti demokrat, George Latimer, që u bëri thirrje partive që të arrijnë ujdi për zgjedhjen e presidentit.




