IPAK – Instituti për Avansim Kombëtar i ka dërguar një letër institucioneve të Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe Kombeve të Bashkuara, si dhe presidentëve të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Në të kërkohet shqyrtimi i plotë në apel i gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Të lidhura
None found
Nënshkruesit kërkojnë që instanca e apelit të analizojë me kujdes aktgjykimin e shkallës së parë dhe provat kryesore. Ata thonë se, nëse pas shqyrtimit nuk vërtetohet përtej dyshimit të arsyeshëm përgjegjësia individuale e të katër të akuzuarve, ligji kërkon lirimin e tyre.
Letra ngre shqetësime për mënyrën se si janë vlerësuar provat dhe dëshmitë e mbrojtjes, besueshmërinë e disa dëshmive, provat shfajësuese dhe lidhjen mes incidenteve të caktuara e përgjegjësisë individuale. Sipas autorëve, veprimet e individëve në terren nuk përbëjnë vetvetiu provë për përgjegjësi penale të udhëheqësve politikë apo të Shtabit të Përgjithshëm.
Autorët kërkojnë gjithashtu sqarime për raportin e Dick Marty-t të vitit 2011 dhe dallimin mes pretendimeve të tij e akuzave të ngritura më vonë ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit. Institucioneve ndërkombëtare u kërkohet të bëjnë të qartë se cilat pretendime fillestare janë verifikuar dhe si kanë ndikuar ato në themelimin e Dhomave të Specializuara.
Në dokument përmendet edhe mbrojtja që autoritetet zvicerane i kanë ofruar Dick Marty-t. Nënshkruesit vlerësojnë se kjo çështje duhet hetuar më tej, por theksojnë se nuk kanë gjetur prova të mjaftueshme për të pohuar si fakt se raporti i Marty-t ishte sajuar nga Serbia në bashkëpunim me Rusinë.
IPAK kërkon një vlerësim të pavarur e transparent të punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ky vlerësim, sipas letrës, duhet të përfshijë shqyrtimin e trajtimit të provave të Prokurorisë dhe mbrojtjes, verifikimin e pretendimeve për parregullsi procedurale dhe publikimin e një raporti me përfundimet.
Instituti propozon gjithashtu ngritjen e një Komisioni Mbikëqyrës të Pavarur. Në përbërjen e tij do të përfshiheshin përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ekspertë ndërkombëtarë të së drejtës penale, përfaqësues të Këshillit të Evropës dhe të institucioneve të BE-së, si dhe organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Letra kërkon që në trajtimin e krimeve të luftës në Kosovë të respektohet barazia para drejtësisë. Autorët bëjnë thirrje për hetim dhe ndjekje penale të kujtdo për të cilin ka prova të besueshme për krime të kryera gjatë luftës, pa dallim të përkatësisë apo të palës në konflikt.
Në dokument përmenden edhe dëshmitë e zyrtarëve dhe diplomatëve ndërkombëtarë Wesley Clark, James Rubin, Christopher Hill dhe John Duncan për strukturën dhe funksionimin e UÇK-së gjatë luftës. Sipas letrës, këto dëshmi kanë rëndësi për vlerësimin e autoritetit dhe kontrollit faktik mbi strukturat e UÇK-së.
IPAK përsërit se pas shqyrtimit të plotë në apel, katër ish-krerët e UÇK-së duhet të lirohen nëse fajësia e tyre individuale nuk vërtetohet sipas standardit penal “përtej dyshimit të arsyeshëm”. Letra nënvizon se aktgjykimi i 16 shtatorit 2026 është i shkallës së parë dhe nuk është përfundimtar.
Në përmbyllje, autorët u bëjnë thirrje institucioneve ndërkombëtare të garantojnë drejtësi të paanshme, transparencë dhe trajtim të barabartë për viktimat dhe të akuzuarit. Ata sqarojnë se nuk kërkojnë privilegj apo imunitet, por përgjegjësi penale individuale, prova të verifikueshme dhe procese të drejta.
