Kongresisti amerikan George Latimer u takua në New York me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Bisedimet u përqendruan te siguria dhe sovraniteti i Kosovës.
Të lidhura
None found
Në një postim në rrjetet sociale, Latimer bëri të ditur se me Kurtin diskutoi për format e mbështetjes që Shtetet e Bashkuara mund t’i ofrojnë Kosovës.
“Gjatë takimit në New York me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, biseduam për mënyrat se si SHBA-ja mund ta ndihmojë vendin e tij për çështjet e sigurisë dhe sovranitetit”, shkroi Latimer.
Ai e cilësoi takimin produktiv dhe tregoi se në përfundim mori si dhuratë një koleksion pullash përkujtimore për 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara.
“Takimi ishte frytdhënës dhe përfundoi me dhurimin e një koleksioni pullash për 250-vjetorin, të cilat përfaqësojnë kremtimet e pavarësisë së vendit tonë. Ndërkohë, ne vazhdojmë të jemi partnerë në përpjekjen e Kosovës për pavarësi”, u shpreh ai.
Takimi në New York është pjesë e kontakteve mes përfaqësuesve të Kosovës dhe zyrtarëve amerikanë, ku siguria dhe sovraniteti janë tema kryesore.
