Rasti “Hyseni” na çon në të njëjtën krizë të përjetshme

28 Shtator 2026, 10:15Blog TEMA
Rasti “Hyseni” na çon në të njëjtën

Nga Skënder Minxhozi

Vlora Hyseni ka qenë një ndër personazhet e larta të shtetit që nuk kishte profil të spikatur publik. Detyra e shefes së shërbimit informativ e ndihmonte që të rrinte në hije, pa u ekspozuar ndaj debatit politik të ditës dhe prozhektorët e mediave. Në të parin rast që u ekspozua, pas skandalit ku e pa veten të përfshirë bashkë me Ergys Agasin, ajo dëshmoi se kishte bërë shumë mirë që s’kishte folur. Foli siç nuk duhet të flasë një shef i shërbimit sekret dhe tregoi shumë për veten.

Pas skandalit të Vlora Hysenit qëndron një histori e gjatë shumëvjeçare emërimesh, promovimesh e spostimesh personeli, që është kthyer në një konvejer të vërtetë emrash e fytyrash në shtetin e socialistëve. Lehtësia me të cilën lëviz nga vendi ky konvejer, logjika sipërfaqësore dhe shpesh naive dhe fluturake me të cilën aplikohet sot politika e emërimeve në katet e larta të shtetit shqiptar, përcakton në një masë të madhe më pas edhe mungeën e profesionalizmit, skandalet, gafat, gabimet e cilësinë e ulët të kësaj elite njerëzish jo rrallë të rastësishëm e të paaftë për ta kryer detyrën që ju ngarkohet.

Kjo maxhorancë ka bërë tashmë një rrugë të gjatë, duke djegur thuajse të gjithë bagazhin njerëzor, por edhe duke shterrur idetë dhe vullnetin për të shkuar përpara. Po demostron të gjitha sëmundjet kronike të qeverisjeve të gjata dhe të konsumuara. Kjo së bashku me një përqëndrim gradual ndër vite të pushtetit dhe vendimmarrjes në duart e Ramës, ka prodhuar një mikroklimë toksike në Partinë Socialiste.

Kjo forcë politike ka pushuar së qeni një organizëm i gjallë, duke u dhënë pas formalitetit, propogandës e demagogjisë së thatë të sukseseve të shitura çdo ditë në rrjetin social. Pushteti ekzekutiv që kjo parti ka deleguar funksionon prej vitesh jo më mbi parimin e meritokracisë e përvojës, por mbi promovimet e befta e rastësore të cilat shiten për rinovim. Vendin e parimit të vjetër por solid latin “scripta manent, verba volant”, e ka zënë improvizimi, shmangia e procedurave dhe jo rrallë edhe shpërfillja e vijave të kuqe të  ligjit. Ikona e aplikacionit “whatsap” është sot zyra më e madhe virtuale e shtetit me të cilin komunikohet, merren vendime dhe përcaktohen politika e projekte. Ky aplikacion është sot metafora që personifikon më së miri qeverisjen e lehtë dhe sipërfaqësore të socialistëve, që mbizotëron administratën por edhe elitën politike.

Historia e Vlora Hysenit është pjesë e kësaj sjelljeje shumëvjeçare në raport me meritën dhe promovimin. Ajo është një histori që ka shumë të panjohura, të cilat me gjasë do të zbulohen gjatë ditëve e javëve të ardhshme. Hyseni nuk mund të fajësohet se ka krijuar një shërbim sekret Frankeshtajn si ai i dikurshmi i Gazidedes, as se ka përgjuar kundërshtarët në favor të qeverisë. S’kemi dëgjuar asnjë pretendim të tillë në këto vite e kjo është provë se SHISH ka qëndruar në vendin e vet, i mënjanuar nga zhvillimet politike. Ndoshta më i mënjanuar seç duhet, aq sa emërimet në institucion u bënë po aq të rastësishme e të lehta sa edhe në postet e tjera të shtetit.

Problemi konkret me shefen e SHISH, është se edhe Hyseni u ekspozua në një raport të papërshtatshëm me një person në kërkim, nuk dha dorëheqjen por priti të hyjë në lojë drejtësia. Edhe ata që e emëruan gjithashtu heshtën duke neglizhuar maisjen e një krize që sot ka kapur gjithë institucionin dhe jetën politike të vendit.

Në vetvete kjo është një krizë e përsëritur drejtimi dhe përfaqësimi që po shfaq administrata e lartë në Shqipëri. Një krizë e cila vjen nga shumë faktorë, por mbi të gjitha nga improvizimi e moskokëçarja në politikën e përzgjedhjes, rekrutimit dhe imponimit të standarteve profesionale dhe logjikës së ligjit ndaj të gjithë atyre që shkelin në dyert e shtetit.

Qeverisja e sotme është e mbushur me njerëz që s’dihet se nga vijnë dhe që i marrin e i lenë postet shpesh brenda pak muajve, pa asnjë bilanc të prekshëm. Nuk i thonë gjë emrat dhe fytyrat e tyre shqiptarit të thjeshtë sepse janë gurë shahu kalimtarë dhe pa identitet. Mjaft të shohësh fjala vjen lukuninë e zëvendësministrave që ikin e vijnë si të jenë lojtarë që ndërrohen gjatë nje ndeshjeje sportive me një të rënë bilbili.

I njëjti fenomen që sot ka ngërthyer ekzekutivin mbizotëron në përmasat përkatëse edhe në legjislativ. Nëse bëhet një konkurs kombëtar në media sesa përqind e shqiptarëve i njohin me emër deputetët aktualë të Kuvendit, me siguri përqindja do dalë qesharake. Deputetë që zgjidhen me formula të ngjashme me konkurentët e Big Brother, deputetë që pasi marrin mandatet nisin kurset “si të bëhesh deputet”. Pra, marrin patentën, pastaj hyjnë në kurs makine!

Në të njëjtën logjikë, madje shumë më të pisët e korruptive, funksionojnë punët edhe në pushtetin gjyqësor. Në pushtetin e “drejtësisë së re”. I vetmi pushtet që pas miratimit të reformës në drejtësi, ka kaluar në filtra teorikisht rigorozë kontrolli e selektimi. Dhe pikërisht për këtë arsye, pra sepse vepron e vulos në emër të vetingut dhe të pastërtisë, ky pushtet sot është kthyer në një ngrehinë të madhe të plotfuqishme dhe jashtë çdo kontrolli, e cila vepron duke e keqpërdorur shumë herë pushtetin që i ka dhënë ligji dhe sovrani.

Nëse ka një sektor ku tarafet, klanet, paratë nën dorë (shumë para në dorë), përdredhja e ligjeve e procedurave sipas shijeve të prokurorëve e gjyqtarëve, relativizimi i frikshëm i procesit gjyqësor dhe lënia mënjanë e palës mbrojtjëse – të gjitha këto fenomene që u kujtuan të tejkaluara nga reforma e vitit 2016, janë sërish aty. Edhe më të fuqishme, sepse janë të paprekshme dhe sepse formalisht quhen “të vetuara”. Gjyqtarë e prokurorë që kanë nxjerrë të pafajshëm vrasës e kriminelë, apo që kanë pasuri të pafundme, kanë mundur sërish të kalonë vetingun e të riciklohen dhe sot vrasin e presin në emër të drejtësisë së re.

Filtrimi i detajeve të dosjeve hetimore është një ndër aspektet më abuzive të drejtësisë së sotme shqiptare. Në këtë ritual të shëmtuar e antishtet u trajtua edhe rasti “Hyseni”. Megjithëse në një proces ndaj kreut të shërbimit sekret gjithçka duhet të ketë “afërmendsh” sekrete dhe e mbyllur, klientët e përhershëm mediatikë u ushqyen edhe kësaj radhe me fraza pikante mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit. Një fenomen që Inspektoriati apatik dhe i frikësuar i Drejtësisë refuzon ta shohë e të hetojë, megjithëse rastet janë bërë një mal dhe loja me dosjet hetimore në media është kthyer në një sport popullor të prokurorisë speciale.

Shteti shqiptar po fillon të mbyllë kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian. Që do të thotë se ndodhet realisht në kilometrin e fundit të aderimit në BE (jo si kilometri i fundit i Berishës drejt pushtetit)! Megjithatë po t’i hedhësh një sy sesi ky shtet përzgjedh, promovon dhe selekton ata që drejtojnë punët e tij në legjislativ, ekzekutiv dhe drejtësi, kupton se rasti “Hyseni” nuk është as aksident i izoluar dhe as praktikë e veçuar.

Në çdo kat të këtij shteti ka emërime dhe karriera që avancojnë në shkelje të kritereve, me miqësi, para dhe mbi të gjitha me promovime që s’duhet të kishin ndodhur. Kemi ndërtuar një Shqipëri që nuk di t’i japë rrugë punëve të saj, që nuk di të zgjidhë krizat e vjetra e të reja, që nuk di të bëjë gjënë e duhur, sepse shumë shpesh kemi në timonin e punëve njerëz të ardhur nga hiçi, ose nga partia, ose nga miku e shoku apo thjesht për shkak të gatishmërisë për servizilizma e tarafe. Prandaj edhe shteti po kapet me presh në duar, prandaj edhe incidentet si ky i Vlora Hysenit janë të destinuara të vazhdojnë me emra dhe rrethana të tjera. Derisa ky shtet të futet në procedurë, derisa në krye të vijnë drejtuesit e menaxherët me integritet e jo miqtë e shokët e partisë apo të lagjes, kjo do të jetë muzika që do të dëgjojmë. Për fat të keq.