U thirr nga Presidenti, përfundon mbledhja e Këshillit të Sigurimit, i pranishëm edhe kreu i SPAK

Nga A2 CNN
28 Shtator 2026, 10:25 | Politikë

U thirr nga Presidenti, përfundon mbledhja e Këshillit të

Ka përfunduar pas afro 90 minutash mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, e thirrur nga Presidenti Bajram Begaj në orën 08:30 të mëngjesit të sotëm. Burime për gazetaren Fjorela Beleshi bëjnë me dije se në mbledhje ishte edhe kreu i SPAK Klodian Braho. Ndonëse nuk është anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, Braho ka qenë në mbledhje me ftesë të Presidenit Begaj. 

Në takimin me dyer të mbyllura nuk ishte e pranishme opozita, pasi kryedemokrati Sali Berisha ndodhet në Strasburg. Të parët që janë larguar nga Pallati i Brigadave kanë qenë kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit Peleshi. Ende mbeten sekret diskutimet e drejtuesve të institucioneve në lidhje me sigurinë kombëtare. 

Vendimi i kreut të shtetit Begaj erdhi në kohë kur çështja e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, nxiti debate mbi sigurinë kombëtare dhe opozita bëri thirrje për mbledhjen e këtij këshilli. 

Ish-shefja e SHISH Vlora Hyseni u shkarkua nga detyra nga kryeministri Edi Rama, pasi ndaj saj GJKKO ka caktuar masën e sigurisë "arrest shtëpie".

Kujtojmë që Hyseni dyshohet për dy vepra penale, "nxjerrjen e sekretit shtetëror" dhe "përkrahje e autorëve të krimit".

Një ditë më parë përmes një mesazhi nga Aeroporti i Rinasit, kryeministri Rama vuri në dukje se masa ndaj Vlora Hysenit ishte ekstreme pasi preket reputacioni i Shqipërisë në sytë e aleatëve. Po ashtu kreu i qeverisë tha se SHISH u bë target kombëtar dhe ndërkombëtar thashethemesh, ndërsa kërkoi që të reflektohen përgjegjësitë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë. 

ANËTARËT

Këshilli i Sigurimit Kombëtar kryesohet nga Presidenti i Republikës.
1. Kuvendi – Kryetari Niko Peleshi
2. Këshilli i Ministrave – Kryeministri Edi Rama
3. Ministria e Mbrojtjes, Ermal Nufi
4. Ministria përgjegjëse për Punët e Jashtme, Ferit Hoxha
5. Ministria e Drejtësisë; Toni Gogu
6. Ministria përgjegjëse për Punët e Brendshme; Ervin Demo
7. Ministria përgjegjëse për Financat; Petrit Malaj
8. Ministria përgjegjëse për Transportin dhe Energjinë; Enea Karakaçi
9. Komisioni i përhershëm parlamentar përgjegjës për sigurinë dhe mbrojtjen – kryetari i tij; Bledar Çuçi,
10. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura – Shefi i Shtabit; Arben Kingji
11. Shërbimi Informativ i Shtetit – Drejtori; Elvis Lila
12. Policia e Shtetit – Drejtori i Përgjithshëm. Skënder Hitaj (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos