Pagat e magjistratëve, Gjykata e Lartë dhe 3 shoqatat e gjyqtarëve e prokurorëve refuzojnë tryezën me kryeministrin Edi Rama, duke kujtuar se çështjen e kanë çuar në Kushtetuese dhe se presin vendimin.
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, njoftoi se institucioni që drejton nuk do të përfaqësohet në tryezë.
Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, dialogu për këtë objekt mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur.
I njëjti argument edhe nga Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, si edhe nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve:
Deri në një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me padinë e paraqitur nga shoqatat e magjistratëve, është e pamundur për ne pjesëmarrja në tryezën e konsultimit të datës 28 shtator 2026, deklaron Unioni.
Shoqata vlerëson se nuk do të ishte e përshtatshme pjesëmarrja e saj në një diskutim institucional mbi të njëjtën çështje përpara përfundimit të këtij procesi, thekson Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve.
Ndërkaq, Shoqata e Prokurorëve kërkon që tryeza të shtyhet deri në një qëndrim të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që diskutimi me qeverinë të zhvillohet mbi një kuadër të qartë kushtetues.
Duke pasur parasysh se çështja objekt i konsultimit lidhet drejtpërdrejt me një proces kushtetues të iniciuar nga shoqatat e magjistratëve pranë Gjykatës Kushtetuese, kërkojmë që një tryezë e tillë të vlerësohet të zhvillohet pas një qëndrimi të Gjykatës Kushtetuese mbi çështjen.