Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, këtë javë do të vizitojë katër vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Të lidhura
None found
Udhëtimi nis të mërkurën, më 30 shtator, në Tiranë, sipas agjendës së publikuar nga Komisioni Evropian. Aty Von der Leyen pritet të takohet me drejtuesit më të lartë të vendit, përpara se më 1 tetor të vijojë drejt Prishtinës.
Në Kosovë, presidentja e Komisionit Evropian do të zhvillojë takime të veçanta me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti. Po atë ditë, ajo do të ndalet edhe në Podgoricë për bisedime me drejtuesit e Malit të Zi mbi procesin e integrimit evropian.
Shkupi është ndalesa e fundit e turneut, më 2 tetor. Gjatë qëndrimit në Maqedoninë e Veriut, Von der Leyen do të takohet me udhëheqësit e vendit. Në diskutimet e vizitës do të trajtohen hapat e radhës drejt anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian dhe përparimi i integrimit të tyre gradual, bëri të ditur Komisioni Evropian.
Në fokus do të jetë gjithashtu Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, nismë përmes së cilës BE-ja synon të mbështesë ekonomitë e rajonit dhe afrimin e tyre me tregun e strukturat e unionit. Ky është turneu i gjashtë i Ursula von der Leyen në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë vizitave, Von der Leyen pritet të shohë edhe projekte që financohen nga Bashkimi Evropian. “BE nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ajo në Samitin e Ballkanit Perëndimor të BE-së në qershor, duke vënë në pah rëndësinë që Komisioni Evropian i jep zgjerimit.
Vizita zhvillohet ndërsa Bashkimi Evropian po përpiqet të përshpejtojë afrimin e Ballkanit Perëndimor me unionin. Ndërkohë, vendet e rajonit vijojnë reformat dhe përpjekjet për të çuar përpara integrimin evropian.
