“Flesh Impact”, filmi i shkurtër i regjisores amerikane Maggie Gyllenhaal, është shpallur fitues i çmimit “Best Short Film” në TIFF

28 Shtator 2026, 10:43Kulturë TEMA
“Flesh Impact”, filmi i shkurtër i regjisores amerikane Maggie

“Flesh Impact”, filmi i shkurtër i regjisores amerikane Maggie Gyllenhaal, është shpallur fitues i çmimit “Best Short Film” në edicionin e 24-t të “Tirana International Film Festival” (TIFF), duke u bërë kështu filmi i propozuar nga TIFF për garën e Oscar-it, në përputhje me rregullat e Academy.

Fitorja u shpall mbrëmjen e sotme në ceremoninë e mbylljes së TIFF 2026, duke i dhënë filmit të Gyllenhaal çmimin më të rëndësishëm të festivalit në kategorinë e filmave të shkurtër.

Një nga veçoritë e rëndësishme të TIFF është statusi i tij si festival kualifikues për Academy Awards® (Oscar). “Tirana International Film Festival – Best Short Film” është i përfshirë në listën zyrtare të çmimeve të festivaleve kualifikuese të Academy. Për këtë arsye, fituesi i këtij çmimi është filmi që TIFF propozon për Oscar, nëse përmbush edhe kriteret e tjera të Akademisë.

Suksesi në Tiranë vjen pas prezantimit të “Flesh Impact” në Festivalin e Venecias, ku filmi u shfaq në programin “Venice Open – Out of Competition”, jashtë garës zyrtare.

Në TIFF, filmi u prezantua në konkurrim, duke shënuar premierën botërore të tij në kuadër të garës së festivalit, përpara se të shpallej fitues i “Best Short Film”.

“Flesh Impact” nis nga një pyetje e pazakontë: çfarë do të kishte ndodhur me Marilyn Monroe nëse do të kishte jetuar deri në moshën 100-vjeçare?

Filmi imagjinon Marilyn-in në një moshë të avancuar, larg imazhit të ikonës së Hollywood-it që publiku ka ruajtur për dekada. Në qendër është një audicion në një teatër të vogël në Nju-Jork, ku një grua e moshuar kërkon një rol dhe, përmes rrëfimit të saj, zbulohet gradualisht historia e saj dhe pesha e një identiteti të ndërtuar nga fama.

Ellen Burstyn, 93 vjeç, interpreton Marilyn-in e imagjinuar në moshën 100-vjeçare, ndërsa Dakota Johnson shfaqet si versioni i saj më i ri.

Përmes këtij rrëfimi, Gyllenhaal prek tema si plakja, kujtesa, identiteti dhe mënyra se si industria e kinemasë i sheh gratë, duke e përdorur Marilyn Monroe jo thjesht si një ikonë të Hollywood-it, por si një pikënisje për të reflektuar mbi atë që mbetet pas mitit.

Pas shpalljes së çmimit, Maggie Gyllenhaal i është drejtuar festivalit dhe publikut të TIFF përmes një video-mesazhi, duke përshëndetur vlerësimin për filmin e saj.

“Faleminderit shumë për këtë çmim, faleminderit jurisë, faleminderit Festivalit. Është vërtet e mrekullueshme, ndihem shumë mirë. Gëzuar ditëlindjen, Marilyn Monroe. Pa të, sigurisht, asnjë prej këtyre nuk do të ishte e mundur.”

Ceremonia e mbylljes vijoi me shpalljen e çmimeve në kategoritë e ndryshme të festivalit.

Çmimi për regjinë shkoi për Eimi Imanishi për “Nomad Shadow”,  ndërsa Ralitza Petrova u vlerësua për skenarin më të mirë me “Lust”. Në kategoritë e shkurtra, çmimet shkuan për “And If Thuy Didn’t Exist” (Live Action), “Once in a Body” (Animation), “Anatomy of a Portrait” (Documentary Short), “Desert, She” (Balkan Short) dhe “angel777” (Short in Albanian). Çmimi për dokumentarin më të mirë iu dha “With Sand in Our Eyes”, ndërsa “Nobody Said Anything” u shpall filmi i shkurtër më i mirë evropian, i kualifikueshëm për European Film Awards 2026.

Me edicionin e 24-t, Tirana International Film Festival vijon të konsolidojë profilin e tij në hartën e festivaleve ndërkombëtare të filmit, duke sjellë në Tiranë autorë dhe produksione të rëndësishme të kinemasë bashkëkohore dhe duke krijuar një platformë ku veprat e reja mund të takojnë publikun, juritë ndërkombëtare dhe industrinë e filmit. Statusi i TIFF si festival kualifikues për Academy Awards e forcon më tej këtë rol, duke e vendosur Tiranën në qarkun ndërkombëtar të festivaleve që kontribuojnë në rrugëtimin drejt Oscar-it. A.K./TemA

Lini një Përgjigje