Laert Haxhiu, i dënuar me burgim të përjetshëm për ngjarjen e rëndë të vitit 2017 në Lushnjë, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për rigjykimin e çështjes së tij.
Kërkesa është regjistruar në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa relatorja e çështjes është caktuar gjyqtarja Sonila Bejtja.
Haxhiu pretendon se gjatë procesit gjyqësor janë cenuar të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara nga Kushtetuta.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), që e dënoi me burgim të përjetshëm, është lënë në fuqi fillimisht nga Gjykata e Posaçme e Apelit dhe më pas edhe nga Gjykata e Lartë.
Haxhiu, i njohur edhe si “rivali” i Aldo Bares, ish kreut të të ashtuquajturës Bandë e Lushnjës, akuzohet për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, si dhe për plagosjen e Marjus Xhepexhiut dhe Bujar Turkut, gjatë ngjarjes së ndodhur në Lushnjë në vitin 2017.
Tashmë, Haxhiu kërkon që çështja e tij të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, duke pretenduar se vendimet e dhëna nga gjykatat kanë cenuar të drejtat dhe liritë themelore të tij.













