Është zbardhur agjenda e takimit të liderit demokrat i cili ndodhet sot në Strasburg, ku do të zhvillojë një sërë takimesh në Parlamentin Europian.
Nga ana tjetër, në Tiranë po mbahet Konferenca Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”.
Konferenca e sotme do të zhvillohet në 3 sesione, ku do të diskutohen çështje që lidhen drejtpërsëdrejti me integrimin europian të Shqipërisë. Sesioni i parë do t’i kushtohet zgjerimit të BE-së dhe rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit, ndërsa sesioni i dytë do të fokusohet te zgjerimi si faktor strategjik për reformat, stabilitetin dhe sigurinë. Në mbyllje, mësohet se sesioni i tretë do të trajtojë udhëheqjen parlamentare dhe angazhimin në avancimin e integrimit europian.
Njoftim për mediat:
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ndodhet në Strasburg dhe gjatë ditës së sotme do të zhvillojë një sërë takimesh dhe aktivitetesh në Parlamentin Europian.
Në orën 11:30, z. Berisha do të zhvillojë një takim me delegacionin e Kosovës.
Në orën 15:30, në kuadër të seancës plenare të Parlamentit Europian, z. Berisha do të mbajë fjalën e tij.
Gjatë ditës, Kryetari i Partisë Demokratike do të zhvillojë gjithashtu takime zyrtare me përfaqësues dhe zyrtarë të Partisë Popullore Europiane (PPE).

