Një proces anëtarësimi që të kalojë nëpër disa faza paraprake duke i ofruar vendeve kandidate një qasje graduale në mekanizmat e Bashkimit Europian, nuk është më thjesht një ide. E propozuar si alternativë nga disa prej vendeve me peshë si Gjermania e Franca, ajo është bërë pjesë e një dokumenti dhe të Komisionit Europian për rishikimin e zgjerimit.

“Helmut Kohl nuk shkoi atje për t’i thënë gjermaneve të lindjes që tani jeni të lirë dhe keni 33 kapituj për t’iu nënshtruar. Nuk tha këtë. Por çfarë i tha? Ai tha, “tani ne jemi bashkë” dhe nga ai moment e tutje i gjithë procesi i ribashkimit me të gjitha hollësitë përkatëse dhe kërkoi kohë në fakt. Mbase ende nuk është përfunduar plotësisht kur ende mund të shohësh ndryshime, ama çfarë duhet të ndryshojë dhe çfarë mundet edhe të lehtësoj ato personat që ngurrojnë ose palët që ngurrojnë, është që vendimet politike të mos lihen për momentin e fundit, ama të merren tani dhe pastaj në fund të lihen proceset në bazë të meritës që çdo vend ka. Dhe çfarë po dua të them? Do të thotë që ka një koincidencë këtu, 7 ‘’fëmijë’’ ka Ursula dhe BE ka 7 kandidatë kështu që ‘’fëmijët’’ e Ursulës nuk u rritën në lagje, ato u rriten rreth tavolinës. Ajo nuk i tha vajzës; ‘’shko dhe kalo ca kohë me atë gangsterin rus atje tek cepi sepse mami tani është pak e zënë’’.  Ajo nuk i tha djalit; ‘’shkoj e luaj me ca lodra kineze sepse tani tavolinën e përdorin të rriturit’. Jo, tani të gjithë ishin rreth tavolinës, por patjetër që të gjithë që ishin aty në tavolinë, nuk kishin të njëjtën vlerë zëri, nuk kishin të njëjtën forcë fjale madje dhe ushqimi mund të mos ketë qenë i njëjtë. Apo jo?

Kështu që mendoj se Europa duhet të gjejë atë momentin e Helmut Kohl dhe të thotë: hajde të gjithë rrejt kësaj tavolinë. Të gjithë dhe pastaj se çfarë merr secili prej asaj tavoline, kjo varet pikërisht nga procesi që bazohet tek merita. Hap një kapitull, e mbyll dhe për atë kapitull ti je plotësisht anëtar dhe mund të jesh pjesë e tavolinës. Nëse ende po punon për një kapitull tjetër, atëherë për kapitullin tjetër je një nga ‘’fëmijët’’ e Ursulës që nuk është rritur ende”, tha Rama.

Në Konferencën Ndërparlamentare, të organizuar në Tiranë nga Kuvendi, kreu i qeverisë e quajti dështim për Europën, jo për vendet kandidate nëse ato nuk anëtarësohen.

“Njerëzit kanë kuptuar se vendi e ka aftësinë për të kërcyer edhe më lartë, njerëzit e kanë kuptuar që vendi mundet të bëhet komplet ndryshe, e kanë kuptuar njerëzit që shumë gjera po lëvizin dhe që ka një zhvillim të dukshëm për këdo. Ama në të njëjtën kohë njerëzit kanë edhe pyetje dhe më të drejtë kanë të tilla dhe është e natyrshme që këto pyetje të kombinohen edhe me ankthin që të jep koha e sotme, në një farë mënyre duket sikur je në Europë edhe në këtë aspekt, në aspektin e ankthit, pasigurive, të një fare shkalle vetmie që bëhet gjithnjë e më shumë e pranishme në jetët tona dhe në hapësirën tonë të demokracisë kur ky hutim i madh ndërmjet lirisë së fjalës dhe lirisë së qasjes, ka çuar në një farë trysnie që vjen nga shumë lajme të pasakta dhe shumë teori konspirative e të tjera e të tjera, që kanë shtuar në fakt barrën e rënde sociale, por nga ana tjetër krahasuar me vendet e BE ne kemi një përparësi të madhe, ne shqiptarët dhe vetë Shqipëria ka përparësi, pasi ne ende e dashurojmë BE. Dhe nuk ndodh fiks kështu me vendet tuaja ku në vendet tuaja më shumë merret si e mirëqenë BE-ja sikur të ishte martesë kurse ne jemi plotësisht të angazhuar. Ne patjetër debatojmë shumë gjëra së brendshmi në vendin tonë. Ne çdo ditë e kemi kapacitetin për të gjetur arsye për të mos qenë dakord me njeri tjetrin, qoftë edhe për hollësitë më të parëndësishme. Ama për një gjë ne kemi rënë gjithmonë dakord, për faktin që duam të jemi pjesë e Europës dhe që ne e dashurojmë Europën.

Prandaj ne shpresojmë shumë, unë shpresoj pres shumë që juve të mos na lini përsëri në baltë sepse në këtë kohë po të lihemi ne në baltë shkon përtej të lënit në baltë një grup vendesh siç është Ballkani Perëndimor, por është të lesh në baltë dhe vet veten dhe nëse Europa do të lerë në baltë Ballkanin Perëndimor atëherë nuk do jetë një dështim i thjesht për Europën, por do jetë dështimi, ai më madhori”, tha Rama.

Duke vlerësuar Shqipërinë për punë ne bërë deri tani, kreu i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian David McAllister tha se ka ende punë përpara.

“Tashmë sfida që qëndron përpara është forcimi i pavarësisë së Gjyqësorit, arritja e rezultateve të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe garantimi që institucionet publike t’u shërbejnë qytetarëve në mënyrë efektive”, tha ai.

Edhe Raportuesi për Shqipërinë në PE, Andres Shider u shpreh optimist me objektivin e vendit tonë për një anëtarësim në këtë dekadë!

“Nuk është çështje vetëm të hapen kapitujt, ato duhen mbyllur por pastaj vjen edhe zbatimi që ka ndikimi i këtyre kapitujve. Prandaj, jemi në atë fazën  fundit, Shqipëria duhet të mbyllë edhe ato kapituj, ka kohë plotësisht për ta bërë atë gjë dhe pastaj mund të mendojmë edhe atë që Shqipëria meriton të jetë anëtare e re e BE përpara fundit të kësaj dekade.”

Thuajse në të njëjtën linjë dhe ambasadorja e re e BE-së në Tiranë Sofia Moreira de Sousa. 

“BE ka njohur ecurinë në fusha të ndryshme, reforma në drejtësi ka shndërruar panoramën institucionale të gjyqësorit. Krijimi dhe fuqizimi i institucioneve të pavarura gjyqësore. Sa më pranë ecni me anëtarësimin, aq më impenjativ bëhet procesi. Sepse miratimi i legjislacionit është vetëm pjesë e procesit. Zbatimi është aspekti i pazëvendësueshëm”, tha ambasadorja.

Synimi i Shqipërisë është përfundimi i bisedimeve brenda vitit 2027 dhe anëtarësimi brenda kësaj dekade. Dhe për kreun e parlamentit Niko Peleshi, ky mbetet një objektiv strategjik i vendit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:48
Balla takon Raporterin e PE për Shqipërinë: Shqipëria në krye të vendeve aspirante për anëtarësim në BE

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi një takim me Raporterin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder, të cilin e cilësoi si një mik dhe mbështetës të vyer të vendit tonë.

Gjatë takimit, Balla dhe Schieder diskutuan mbi ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, si dhe hapat e mëtejshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.

Balla theksoi se Shqipëria vijon të kryesojë mes vendeve aspirante në këtë raund zgjerimi të BE-së, duke nënvizuar se progresi i dukshëm i vendit në rrugën europiane po jep rezultate konkrete.

“Shqipëria është në krye të vendeve aspirante për anëtarësim në këtë raund zgjerimi dhe progresi i saj i dukshëm në rrugën europiane kontribuon në stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë dhe më gjerë”, u shpreh Balla.

Takimi vjen në një moment të rëndësishëm për procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, ndërsa vendi synon përshpejtimin e reformave dhe avancimin e mëtejshëm drejt anëtarësimit.

Ora 15:42
Balla-europarlamentarëve në Tiranë: Vëreni në krye të axhendës ratifikimin e aderimit të Shqipërisë në BE

Plani A është i vetmi për Shqipërinë: anëtarësimi në BE, tha Taulant Balla në Konferencën Ndërparlamentare.  Balla tha se Shqipëria synon të përmbyllë negociatat e anëtarësimit deri në Krishtlindjet e vitit të ardhshëm, objektiv që e cilësoi ambicioz.

“Procesi i aderimit vazhdon të jetë katalizatori më i rëndësishëm, më i fuqishëm për vendin tonë. Ne besojmë te ky proces 100%, dhe është pothuajse tërësisht komplet e qartë, sepse ne, Shqipëria, nuk kemi një plan B; kemi vetëm planin A, të bashkohemi me Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

Kryetari i Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri u kërkoi përfaqësuesve europianë  mbështetje për ratifikimin në kohë të traktatit të aderimit dhe u bëri thirrje që çështja të mos lihet në fund të agjendave parlamentare.

“Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë, prandaj ne shpresojmë, dhe shpresojmë që deri në Krishtlindje vitin tjetër do të përmbyllim negociatat, dhe pastaj të fillojmë nga pranvera e 2028-ës. Në kalendaret tuaja të punës parlamentare, shpresojmë që të na keni aty për ratifikim. Procesin e ratifikimit të traktatit të aderimit të BE-së, mos e lini si temë e fundit në agjendë. Ju lutem, vëreni në krye të agjendës ratifikimin e aderimit të Shqipërisë në BE”, përfundoi Balla.

Ora 15:32
Integrimi, Hoxha: Angazhimi ynë me reformat është i palëkundur, e ardhmja jonë është në BE

Nga Konferenca Ndër-parlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë” në Tiranë, Ferit Hoxha tha se për Shqipërinë, Evropa është një kthim në shtëpinë ku përket.

Ministri i Jashtëm theksoi se parimi i meritës mbetet thelbësor për besueshmërinë e procesit të zgjerimit, ndërkohë që Shqipëria nuk kërkon rrugë të shkurtra, por njohje dhe shpërblim të përparimit të arritur.

“Ne nuk kërkojmë favore, as rrugë të shkurtra. Kërkojmë një proces të drejtë, të besueshëm dhe të bazuar në merita; një proces në të cilin rezultatet sjellin përparim dhe përparimi të mund të njihet. Parimi i meritës është thelbësor për besueshmërinë e procesit të zgjerimit dhe duhet të mbetet në thelb të tij. Por besueshmëria duhet të funksionojë në të dyja drejtimet. Vendet kandidate duhet të realizojnë reformat, zbatimin e tyre dhe rezultate të prekshme. Bashkimi Evropian duhet ta njohë gjithashtu dhe t’i përgjigjet përparimit kur ai arrihet me sukses”, deklaroi Hoxha.

Për Shqipërinë, përparimi në rrugën drejt BE ka qenë i konsiderueshëm dhe pas reformave, fokusi mbetet te zbatimi.

“Në më pak se dy vjet kemi hapur të gjithë kapitujt, kemi përmbushur standardet dhe kemi nisur fazën e fundit, atë të mbylljes së kapitujve. Anëtarësimi nuk ka të bëjë thjesht me arritjen e një date në kalendar. Ka të bëjë me arritjen e nivelit të përgatitjes që i mundëson një vendi të kontribuojë plotësisht në projektin evropian, që nga dita e parë. Kjo është arsyeja pse fokusi i Shqipërisë tani është qartësisht te zbatimi. Angazhimi ynë është i palëkundur. Reformat tona vazhdojnë. E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Dhe e ardhmja e një Bashkimi Evropian më të fortë, më të sigurt dhe më të plotë përfshin pa diskutim Shqipërinë”, nënvizoi ministri.

Ora 12:39
Tabaku: SPAK nën presion, ka përpjekje për ndërhyrje politike! Imuniteti parlamentar të mos jetë mburojë ndaj drejtësisë (VIDEO)

 

Depërtimi i drejtësisë te institucionet e rëndësishme të shtetit, së fundmi edhe në SHISH, është një arritje e rëndësishme, tha Jorida Tabaku në Konferencën Ndërparlamentare, por SPAK është nën presion.

Sipas deputetes së PD, ka përpjekje për ndërhyrje politike në Prokurorinë e Posaçme që pengojnë drejtësinë. Më tej tha se prezumimi i pafajësisë për këdo është i panegociueshëm, po ashtu si kërkesa për përgjegjësi.

Ajo shtoi se integrimi kërkon rezultate bindëse dhe Shqipëria duhet të hyjnë në BE nga “dera e reformave.” Tabaku iu bashkua parafolësve të mazhorancës duke ritheksuar se aspirata europiane është një konsensus politik që vendi e gëzon, përtej të gjitha ndasive.

“Procesi i integrimit matet me mënyrën si funksionon shteti, si shpenzohen paratë publike dhe si zbatohet ligji. Anëtarësimi në BE është aspiratë politike, e mbështetur nga të gjithë shqiptarët. Një Europë më e bashkuar do të thotë edhe një Shqipëri më e drjtë. Pavarësisht ndasive tona politike, Shqipëria duhet patjetër ta përfundojë me sukses anëtarësimin në BE. Ky konsensus është një nga pasuritë më të mëdha që ka Shqipëria. Ne duhet ta shohim këtë proces si mundësi transformimi, shtetformimi, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Hapja e kapitujve, përmbyllja e kapitujve janë arritje të Shqipërisë, por BE do zbatim, rezultate të qëndrueshme dhe bindëse.

Respektimi i prezumimit të pafajësisë nuk na ndalon të kërkojmë përgjegjësi politike e profesonale. Mosndërhyrja te SPAK duhet të jetë zbatim i Kushtetutës, jo si nder që politika ia bën drejtësisë. Sot SPAK është nën presion, qoftë politik, qoftë verbal. Shohim përpjekje shohim avokati politike, provat minimizohen ose parlamenti përdoret për t’i vendosur pengesa drejtësinë. Prezumimi i pafajësisë nuk mund të përdoret për të vendosur prezumimin e fajësisë ndaj prokurorëve. Në procesin e integrimit duhet të kujdesemi që imuniteti parlamentar të mos ofrohet kurrë si mburojë ndaj drejtësisë. Duhet të angazhohemi për emërime në bazë të meritës. Lufta ndaj korrupsionit të mos ndalet vetëm te arrestimet. Një ekonomi konkurrente që lufton paranë e pistë. Duhet të hyjmë nga dera e reformave”, tha Tabaku.

Ora 12:37
'Kam takim me gjermanin, më duhet të iki', Rama 'ndërpret' fjalimin e Schieder, eurodeputeti ia kthen me batutë: Mos ua përmend Greqinë sot se humbën (VIDEO)

Në Konferencën Ndërparlamentare për zgjerimin e Bashkimit Europian nuk munguan as batutat. Një moment i tillë u regjistrua gjatë fjalës së Andreas Schieder, anëtar i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian.

Schieder sapo kishte nisur fjalën e tij, kur kryeministri Edi Rama iu afrua podiumit duke buzëqeshur dhe e ndërpreu për t’i thënë se duhej të largohej për një takim me gjermanët.

“Kërkoj ndjesë se kam një takim me gjermanët. Do më duhet të iki se nuk e lë dot gjermanin të më presë për aq gjatë dhe më kanë thënë që është gjerman shumë i rëndësishëm”, tha Rama.

Schieder e priti me batutë largimin e kryeministrit.

“Aman, mos ia përmend Greqinë gjermanëve sot se humbën në futboll. Gjermania humbi 1-0 ndaj Greqisë dje”, tha ai.

“Po ja pra, paska ardhur koha e Greqisë të fitonte”, iu përgjigj Rama.

Ora 11:45
Integrimi/ Kryetari i Komisionit të Jashtëm në PE, McAllister: Shqipëria ka bërë përparim, të fuqizohet pavarësia gjyqësore, më shumë rezultate ndaj korrupsionit (VIDEO)

 

Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David McAllister, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, duke veçuar hapjen e të gjashtë grupkapitujve dhe mbylljen e tre kapitujve. Përmes një videomesazhi drejtuar Konferencës Ndërparlamentare të organizuar në Tiranë, ai theksoi se tashmë vendi duhet të fuqizojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të tregojë më shumë rezultate në luftën kundër korrupsionit.

"Shqipëria dhe Mali i Zi kanë bërë shumë progres. Presidenti i Unionit përmendi prosperitetin, pra begatinë, sigurinë dhe demokracinë dhe i vendosi në qendër të programit të BE-së dhe zgjerimi kontribuon në të treja këto elemente, të treja këto shtylla, i afron ekonomitë me njëra-tjetrën, i forcon institucionet demokratike dhe ndihmon që të kemi qëndrueshmëri afatgjatë në kontinentin tonë. Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës e ka përforcuar se sa rëndësi ka zgjerimi i BE-së dhe të lësh Ballkanin Perëndimor në një pasiguri kaq të gjatë, me mbështetje të vogël për reformat dhe në këtë situatë kjo krijon mundësi që edhe palët e treta të zgjerojnë ndikimin e vet negativ aty.

Bashkimi Evropian duhet t'i çojë përpara negociatat. Sa herë përmbushen kushtet, vendet që bëjnë reforma do ta kenë mundësinë që të kenë besim tek BE-ja, që BE ta mbajë angazhimin që ka ndërmarrë. Shqipëria i ka hapur të gjithë grupkapitujt, të gjashtë grupkapitujt e negociatave. Në maj ka kapur ato standardet e ndërmjetme. Në korrik i ka mbyllur tre kapituj në lidhje me shkencën, studimet, edukimin dhe kulturën dhe me marrëdhëniet me jashtë. Këto arritje pasqyrojnë një punë shumë të madhe të bërë nga qeveria, nga deputetët dhe nga shumë prej nesh që janë të angazhuar për ta parë të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. I duhet njohur kjo gjë Shqipërisë, i duhet vlerësuar. Detyra tani është që të fuqizohet pavarësia gjyqësore, të kemi më shumë rezultate ndaj korrupsionit dhe të sigurohemi që institucionet publike t'i shërbejnë mirë qytetarëve të vetë. Ju nxis që këto reforma t'i ndiqni me po atë vendosmëri.

Mali i Zi është vendi që ka ecur mjaft përpara në procesin e anëtarësimit. I ka hapur të tre të 33 kapitujt dhe ka mbyllur përkohësisht 18 prej tyre. Dhe duke e përfunduar ky proces, çohet një sinjal shumë i fortë në Ballkanin Perëndimor, sinjal që tregon që anëtarësia në BE është e arritshme. Axhenda e këtij programi në Tiranë i jep vëmendje shumë të posaçme rolit të kuvendeve, sepse si deputetë ne miratojmë legjislacionin e nevojshëm për anëtarësi. Ne i kërkojmë llogari qeverive dhe sigurohemi që angazhimet të zbatohen. Ne gjithashtu shqetësimet e qytetarëve i bëjmë pjesë të këtij procesi", tha ai. 

Ora 11:30
Ambasadorja e BE në Tiranë: Sa më pranë anëtarësimit ecni, aq më impenjativ bëhet! Vijoni punën me kapitujt, arritjet janë treguesi (VIDEO)

 

Procesi i anëtarësimit bëhet gjithnjë e më kërkues sa më pranë tij të jetë Shqipëria, tha ambasadorja e BE në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa. Ajo theksoi vazhdimisht gjatë fjalës së saj në Konferencën Ndërparlamentare se efekti i reformave duhet të jetë i prekshëm nga qytetarët dhe të ketë fokus qasjen dhe gjithëpërfshirjen.

“E ardhmja europiane e Shqipërisë po bëhet gjithnjë e më e prekshme. Anëtarësimi jo vetëm që përgatit Shqipërinë për anëtarësimin e ardhshëm në BE, por ndihmon qytetarët shqiptarë që të ndiejnë efektin shndërrues që ai sjell. Sa më pranë ecni me anëtarësimin, aq më impenjativ bëhet procesi sepse miratimi i legjislacionit është vetëm pjesë, sepse zbatimi është i pazvëendësueshëm. Faza ku gjendet Shqipëria do të kërkojë që institucionet të kërkojnë në mënyrë të përhershme të pavarur. Çfarëdo lloj vlerësimi për gjendjen ku ekziston një demokraci nuk bëhet vetëm me zgjedhjet, por edhe si e luan rolin e vet Kuvendi, transparenca, vendimmarrja dhe debati politik. Zëri i qytetarëve ofron gjithashtu hapësirën ku mund të shprehen dhe debatohen vendimet politike. Kalendari ambicioz nuk mund të vijë në dëm të cilësisë, mbikëqyrjes parlamentare dhe ndaj është kaq e rëndësishme qasja dhe gjithëpërfshirja. Anëtarësimi merr kuptim vetëm kur qytetarët kuptojnë çfarë do të thotë vërtet BE për jetën e tyre të përditshme”, tha Moreira de Sousa.

Mesazhi është i qartë, tha ambasadorja, Shqipëria të vijojë me negociatat dhe BE e mbështet, por gjithçka varet nga arritjet konkrete. Destinacioni është Europa e bashkuar dhe kontributi i Shqipërisë në BE.

“Ambicia për të mbyllur negociatat deri në 2027 është impenjative, kërkon angazhim të vazhdueshëm. BE mbetet mbështetës kryesor, por besueshmëria e kësaj ambicieje varet tek arritjet. Mesazhi është i qartë: vazhdoni me këtë që po bëni. Rrugëtimi europian e ka ndryshuar Shqipërinë në shumë aspekte. Detyra që mbetet është që shndërrimi të vazhdojë, përfitimet e reformave të ndihen nga qytetarët. Destinacioni është më shumë se anëtarësim, por një Europë më e bashkuar dhe rezistente ndaj kërcënimeve të së ardhmes, si dhe një Shqipëri që është e gatshme të kontribuojë në BE”, përfundoi ambasadorja.

Ora 11:12
Integrimi në BE, raportuesi Schieder: Shqipëria është pararendësja e procesit të zgjerimit! E meriton të jetë anëtare e re brenda dekadës (VIDEO)

 

Shqipëria është pararendëse e procesit të zgjerimit, tha raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder. Në Konferencën Ndërparlamentare, ai shprehu dëshirën për të dhënë kontributin e tij në zgjerimin e Bashkimin Europian.

“Zgjerimi i BE-së nuk është vetëm projekt i së ardhmes, është diçka që e meriton gjithë kontinenti dhe ajo që ëndërronim në 1989 dhe dua të jap edhe unë kontributin tim për të finalizuar këtë moment historik. Mbase ka shkuar pak gjatë, por ka një mundësi më të mirë. Shqipëria është pararendësja e procesit të zgjerimit dhe për mua është funksion i PE që t’i shohë të gjitha hollësitë nga një pikëpamje e politikave parlamentare të BE-së”, tha Schieder.

Ndërsa përmblodhi arritjet e Shqipërisë gjatë negociatave, Schieder tha se reformat duhet të reflektojnë ndryshimin në shoqëri. Besimplotë tha se vendi mund të mbyllë ende disa kapituj dhe të realizojë ambicien e anëtarësimit brenda 2030.

“Pas gjithë këtyre negociatave, kanë dalë shumë hollësi, por tani ndodhemi në fazën e fundit të garës. Ka ende disa kapituj që duhen mbyllur, Shqipëria ka qenë mjaft veprore. S’është vetëm hapja e kapitujve, duhet edhe mbyllja. Pastaj vjen ndikimi që ka zbatimi i këtyre kapitujve dhe këto reforma të ndihen në shoqëri. Shqipëria mundet të mbyllë edhe disa kapituj, e meriton të jetë anëtare e re brenda kësaj dekade”, tha raportuesi.

Ora 11:02
Zgjerimi i BE-së/ Rama: Mos i lini vendet kandidate të luajnë me 'gangsterin rus' dhe 'lodrat kineze', Europa të mos na kujtojë vetëm kur ka kriza (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama kërkoi që vendimet politike për zgjerimin e Bashkimit Europian të mos lihen për në momentin e fundit, ndërsa procesi për secilin vend të vijojë më pas mbi bazën e meritës. Rama tha se Europa duhet t'i mbajë vendet kandidate rreth “tavolinës” dhe larg ndikimit të Rusisë dhe Kinës.

“Çfarë duhet të ndryshojë dhe çfarë mund t’i lehtësojë ata persona që ngurrojnë, është që vendimet politike të mos lihen për momentin e fundit, por të merren tani dhe pastaj, në fund, të lihen proceset në bazë të meritës që çdo vend ka.

7 ‘’fëmijë’’ ka Ursula dhe BE ka 7 kandidatë kështu që ‘’fëmijët’’ e Ursulës nuk u rritën në lagje, ato u rriten rreth tavolinës. Ajo nuk i tha vajzës; ‘’shko dhe kalo ca kohë me atë gangsterin rus atje tek cepi sepse mami tani është pak e zënë’’.  Ajo nuk i tha djalit; ‘’shkoj e luaj me ca lodra kineze sepse tani tavolinën e përdorin të rriturit’. Jo, tani të gjithë ishin rreth tavolinës, por patjetër që të gjithë që ishin aty në tavolinë, nuk kishin të njëjtën vlerë zëri, nuk kishin të njëjtën forcë fjale madje dhe ushqimi mund të mos ketë qenë i njëjtë. Apo jo?

Kështu që mendoj se Europa duhet të gjejë atë momentin e Helmut Kohl dhe të thotë: hajde të gjithë rrejt kësaj tavolinë. Të gjithë dhe pastaj se çfarë merr secili prej asaj tavoline, kjo varet pikërisht nga procesi që bazohet tek merita. Hap një kapitull, e mbyll dhe për atë kapitull ti je plotësisht anëtar dhe mund të jesh pjesë e tavolinës. Nëse ende po punon për një kapitull tjetër, atëherë për kapitullin tjetër je një nga ‘’fëmijët’’ e Ursulës që nuk është rritur ende.

Nuk është e bëshme që t’i themi Ukrainës që gjithçka bëhet, ama që mund t’i themi asaj të vijë në tavolinë, mundemi dhe pastaj jemi të gjithë të bashkuar si një Evropë. Dhe pastaj kur flasim për politikat bujqësore, koha do e tregojë. Jeta do na e tregojë ama shumë të tjera i kemi të përbashkëta. Shumë gjëra të tjera. Nuk duhet të kujtohemi që jemi një Europë sa herë ka një sulm dhe kur ftohemi nëpër tavolina apo vetëm kur bie ndonjë pandemi dhe ne gjendemi rreth kësaj tavoline, ama kur vjen ndonjë valë emigracioni të paligjshëm në Evropë, dhe po, në ato momente nevojitemi dhe ne në tavolinë sepse ja ku kalohet rruga nga këtu, prandaj duhet të jemi dhe ne në tavolinë. Pra është si veza e Kolombit. Shumë e thjeshtë është, hajde bëjeni, siç thonë ata të kompanisë Nike, ‘’bëje’’.

Këto ishin ato pak fjalë të mia që doja të ndaja me ju dhe më besoni, mund të flas shumë më gjatë se kaq dhe dua të falënderoj përsëri secilin prej jush dhe të përgëzoj në fakt, ambasadoren e re të Bashkimit Europian sepse e ka për herë të parë dhe të vish në shfaqjen tënde të parë publike me kaq shumë persona që vijë nga e gjithë Europa, patjetër që tregon një lloj force. Nuk e di se si ia dole mbanë, por mbresëlënëse është kështu që do fillojmë të të kërkojmë gjithnjë e me shumë gjëra. Dhe çfarë tjetër t’ju them? Shpresoj se ky takim nuk do zgjasë shumë dhe që do keni edhe më shumë kohë për të dalë në qytet, pasi në atë mënyrë do merrni edhe më shumë informacione nga vetë dielli, nga ngjyrat, nga ajri, nga ushqimi, buzëqeshjet e njerëzve, por edhe më shumë sesa nga fjalimet tona të mërzitshme”, tha Rama.

P.J/E.H/Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★
2.3 / 5 (3 vlerësime)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 26 Shtator, 18:15

    Ambasadori i ri i SHBA nis misionin, a besoni se do sjellë ndryshim në mjedisin politik?