Tryeza e pagave, magjistratët refuzojnë ftesën e Ramës, në mbledhje do të shkojë vetëm Gjykata e Lartë

Aktualitet

Publikuar: 28/09/2026

Tryeza e pagave, magjistratët refuzojnë ftesën e Ramës, në mbledhje do të shkojë vetëm Gjykata e Lartë

Gjykata e Lartë, shoqatat e gjyqtarëve, Prokuroria e Përgjithshme e Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë bojkotuar thirrjen e kryeministrit Edi Rama për të diskutuar bashkërisht për një skemë të re për përllogaritjen e pagave të magjistratëve.

Rama e ka thirrur mbledhjen e tryezës sot në orën 12:30, ftesë të cilës pozitivisht i është përgjigjur vetëm kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor Ilir Rusi.

Ka qenë Gjykata e Lartë me në krye Sokol Sadushin, i cili publikisht tha se për aq kohë sa kjo çështje është në duart e Gjykatës Kushtetuese, diskutimet në kanë efekt, por vetëm pasi GJK të shprehet me një vendim.

“Pas ftesës së datës 18 shtator ka ndodhur një zhvillim institucional që nuk ekzistonte në atë moment dhe që lidhet drejtpërdrejt me objektin e tryezës. Ligji i ri për pagat i është nënshtruar kontrollit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo rrethanë e re ndikon, në vlerësimin tim, si në kohën, ashtu edhe në përmbajtjen e dialogut. Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, dialogu për këtë objekt mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur”, shkruan kreu i GJL në përgjigjen e tij.

Të njëjtin argument ka dhënë në kthimin e Përgjigjes dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë si dhe Shoqata e Gjyqtarëve.

“Megjithatë, në rrethanat aktuale, kur çështje që lidhen drejtpërdrejt me standardin kushtetues të pagës së magjistratëve janë bërë objekt i një procesi tashmë të iniciuar pranë Gjykatës Kushtetuese, Shoqata vlerëson se nuk do të ishte e përshtatshme pjesëmarrja e saj në një diskutim institucional mbi të njëjtën çështje përpara përfundimit të këtij procesi. Vendimmarrja kushtetuese pritet të qartësojë parametrat brenda të cilëve mund të zhvillohet më tej një diskutim i plotë dhe konstruktiv për mekanizmin e trajtimit financiar të magjistratëve”.

Shoqatat theksojnë se ky qëndrim, nuk mbyll hapësirën për dilaog të mëvonshëm institucional mes palëve.

“Për këtë arsye, Shoqata çmon se diskutimi i propozuar mund të zhvillohet në një moment të mëvonshëm, pasi të jetë qartësuar kuadri kushtetues përkatës. Ky qëndrim nuk përbën tërheqje nga dialogu institucional dhe as kufizim të gatishmërisë sonë për të kontribuar në diskutime që synojnë përmirësimin e qëndrueshëm të funksionimit të sistemit gjyqësor”, thuhet në përgjigjen e Shoqatës së Gjyqtarëve.