E hënë, 28 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Peleshi: Synojmë mbylljen e negociatave me BE-në deri në 2027 dhe anëtarësimin deri në 2030

TIRANË – Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot Konferencën Ndërparlamentare me temë “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, e cila u çel nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

Në fjalën e tij, Peleshi e cilësoi konferencën si përmbylljen e një muaji me aktivitete të shumta në kuadër të integrimit europian, duke theksuar mbështetjen e marrë nga vendet anëtare të Bashkimit Europian.

“Kjo konferencë kurorëzon një muaj të vrullshëm europian në Shqipëri. Thelluam gjithashtu dialogun me ambasadorët e tetë vendeve të Bashkimit Europian. Kudo kemi marrë një mbështetje inkurajuese”, u shpreh ai.

Peleshi theksoi se integrimi europian gëzon mbështetje të gjerë, por sipas tij, Shqipëria duhet të vijojë punën për përmbushjen e objektivave të procesit të anëtarësimit.

“Integrimi i Shqipërisë në BE ka siguruar një mbështetje të madhe, por duhet që të punojmë edhe më shumë”, tha kryetari i Kuvendit.

Peleshi tha se procesi nuk duhet të kufizohet vetëm në negociatat institucionale, por duhet të shoqërohet me forcimin e lidhjeve mes qytetarëve dhe komuniteteve europiane.

“Zgjerimi nuk do të fitohet vetëm në sallat e negociatave të BE-së, por në tryezat e familjeve europiane. Ndërtimi i urave të qytetarëve dhe lidhja e komuniteteve janë objektivat kyçe të integrimit në BE”, deklaroi ai.

Në fjalën e tij, Peleshi solli në vëmendje edhe historinë e Europës dhe izolimin e Shqipërisë gjatë regjimit komunist. Ai iu referua gjithashtu protestave studentore të dhjetorit 1990 dhe thirrjes “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, duke e cilësuar atë si një nga manifestimet më të rëndësishme të orientimit europian të vendit.

Peleshi deklaroi se objektivi i Shqipërisë është i përcaktuar, përfundimi i negociatave për anëtarësim deri në vitin 2027 dhe integrimi në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

“Objektivi ynë është i qartë, integrimi në BE. Mbylljen e negociatave deri në 2027 dhe integrimi deri në 2030”, tha ai.

Në përfundim, kryetari i Kuvendit nënvizoi gjithashtu rolin e Shqipërisë në NATO dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e përshkruar vendin si një partner të përkushtuar dhe faktor stabilizues në rajon.

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.