“I shërbeva me besnikëri atdheut tim, Serbisë. Jam krenar për atë që kemi bërë së bashku!”. Me këto fjalë, presidenti populist i Serbisë zyrtarizoi dorëheqjen duke I dhënë kështu fund mandatit të dytë dhe të fundit 5-vjeçar, dhe duke I hapur rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme presidenciale. Dorëheqja, 7 muaj para përfundimit të mandatit, I lejon atij të sigurojë postin e kryeministrit pas zgjedhjeve të përgjithshme të 25 tetorit, nëse partia e tij progresiste, do të krijojë qeverinë e re.
Mbrëmjen e së dielës, para qindra mbështetësve që ishin grumbulluar para godinës së presidencës, Vuçiç tha se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet deri në fund të dhjetorit.
“Gjatë dy mandateve të mia si president, kam shërbyer me nder dhe ndershmëri. Nuk e di nëse do t’i shërbej Serbisë edhe si kryeministër apo jo. Por për një gjë jam i sigurt: jam jashtëzakonisht krenar për gjithçka që kemi arritur së bashku. Jam krenar për mënyrën se si Serbia ka ndryshuar; krenar për dinjitetin dhe përgjegjësinë me të cilat sillemi; krenar që nuk nxisim urrejtje ndaj atyre që u vunë zjarrin ambienteve tona, sulmuan njerëzit tanë, qëlluan mbi ta apo u drejtuan thikat, sepse ne nuk duhet të zbresim kurrë në nivelin e tyre”, shtoi ai.
Vuçiç tha se kishte marrë vendim për amnisti dhe falje për 49 persona. 56-vjeçari ka dominuar politikën serbe për më shumë se një dekadë, pasi më herët ka qenë ministër i Informacionit në kohën e Millosheviçit, zëvendëskryeministër dhe kryeministër.
Që prej vitit 2017, si president, ai ka ruajtur kontroll të fortë mbi partinë dhe qeverisjen, ndërsa në politikën e jashtme ka ndjekur një kurs balancues mes Rusisë, Kinës, SHBA-së dhe synimit për anëtarësimin e Serbisë në BE. Mandati i tij u trondit rëndë pas shembjes së çatisë së një stacioni hekurudhor në Novi Sad në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona, duke shkaktuar protesta masive studentore dhe opozitare kundër korrupsionit dhe mungesës së transparencës.
(A2 Televizion)