Lifestyle Travel

Përfshini edhe kështjellën e Drakulës në planet e udhëtimeve në tetor!

Tetori sjell ngjyrat e vjeshtës, temperatura më të buta dhe një kalendar aktivitetesh në Europë. Nga Transilvania te San Sebastiáni, në vazhdim do të lexoni për disa nga destinacionet dhe ngjarjet që mund të përfshini në planet e udhëtimit këtë muaj.

Transilvania, Rumani

Kështjella Bran, e njohur si “Kështjella e Drakulës”, është një ndalesë për ata që duan t’i afrohen atmosferës së Halloween-it.

Por tërheqja kryesore e rajonit në tetor janë pyjet maleve Karpate, që marrin ngjyra të kuqe, portokalli dhe të arta.

Brașovi është një pikënisje për të eksploruar malet përreth dhe një qytet ku mund të shijoni mbrëmjet e freskëta të vjeshtës.

Malta

Për udhëtarët që duan të zgjasin verën, temperaturat maksimale mesatare në Maltë arrijnë rreth 25°C në tetor.

Përveç plazheve, ia vlen të vizitoni kryeqytetin, Valetën, me portin e tij natyror dhe restorantet.

Një udhëtim me varkë ju çon në Lagunën Blu të Cominos; më pas mund të vazhdoni drejt Gozos, ishullit me ritëm më të qetë, bregdet shkëmbor dhe vende historike.

San Sebastián, Spanjë

Nga 5 deri më 7 tetor, qyteti pret kongresin gastronomik San Sebastián Gastronomika.

Kuzhinierë të njohur mblidhen për biseda, gatime të drejtpërdrejta dhe degustime. Edicioni i këtij viti shënon 50-vjetorin e Kuzhinës së Re Baske dhe përfshin një festival kushtuar merlucit.

Është një arsye më shumë për të provuar edhe lokalet e famshme të pintxos në qytet.

Midlands, Irlandë

Festivali Púca, nga 29 tetori deri më 1 nëntor, ndërthur muzikën, folklorin dhe ritualet me zjarr.

Ai zhvillohet në rajonin e lidhur me Samhainin, festën e lashtë kelte nga e cila rrjedh Halloween-i.

Vizitorët mund të shohin edhe vendet historike Hill of Ward dhe Hill of Tara.

Mynih dhe Lion

Oktoberfest përfundon më 4 tetor, duke lënë katër ditë për të shijuar muzikën, ushqimin dhe birrën bavareze në çadrat e mëdha të Theresienwiese-s.

Në Francë, Bienalja e Artit Bashkëkohor në Lion vijon deri më 13 dhjetor, me vepra dhe performanca në galeri, muze dhe hapësira të tjera të qytetit.

Hotele të reja në Lisbonë dhe Londër

Hotel Corpus Christi Lisboa – Leonardo Limited Edition hapet në tetor në një ish-manastir të shekullit XVIII në lagjen Baixa.

Hoteli ka 132 dhoma. Në Fitzrovia të Londrës, Native by Numa hapet në një ish-konvent me 29 studio dhe apartamente, të gjitha me kuzhinë të vogël.

Për ata që planifikojnë një udhëtim më të largët, më 2 gusht 2027 pritet një eklips total diellor përgjatë jugut të Spanjës, Gjibraltarit, Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme.

Në Egjipt, faza e plotë do të zgjasë rreth gjashtë minuta e 22 sekonda.

Sipas Euronews Travel, easyJet ka regjistruar 70% më shumë rezervime drejt destinacioneve përgjatë trajektores së eklipsit./Monitor