Botë e Çuditshme

Panda e kuqe përfundon te veterineri…shkak dhimbja e dhëmbit!

Bruce, një panda e kuqe 11-vjeçare në kopshtin zoologjik të Edinburgh-ut, iu nënshtrua një ndërhyrjeje veterinare pasi kujdestarët vunë re se kishte ndaluar së ngrëni. Veterinerët e Shoqatës Mbretërore Zoologjike të Skocisë zbuluan se kafsha vuante nga dhimbja e dhëmbit. Bruce u vendos nën anestezi të përgjithshme, ndërsa veterinerët i hoqën dhëmbin problematik dhe kryen një kontroll të plotë shëndetësor.

Pas ndërhyrjes, Bruce mori një vlerësim pozitiv për gjendjen e përgjithshme shëndetësore dhe u rikthye në habitatin e tij. Por mbi të gjitha, bëri edhe gjithë rrjetin të dashurohet me të pas postimeve rreth ngjarjes. Panda e kuqe mbërriti në kopshtin zoologjik të Edinburgh-ut në vitin 2016 dhe tashmë është panda e kuqe e vetme që jeton aty. Bruce është gjithashtu gjyshi i Priyas, një panda e kuqe femër që u transferua në Highland Wildlife Park në fillim të këtij viti.

Pandat e kuqe janë vendase në Himalajet lindore dhe në Kinën jugperëndimore. Ato konsiderohen specie e rrezikuar, kryesisht për shkak të humbjes së habitatit, ndërhyrjes njerëzore dhe gjuetisë së paligjshme. Sipas WWF-së, në natyrë kanë mbetur më pak se 10 mijë panda të kuqe. Ndryshe nga sa mund të sugjerojë emri i tyre, ato nuk janë të afërta me pandat gjigante, por kanë lidhje më të afërt me rakunët, skunksat dhe nuselalat. Bruce kishte mbërritur te veterinerët pas një shqetësimi të thjeshtë për ushqyerjen, por kontrolli zbuloi shkakun e problemit dhe ndërhyrja i mundësoi të rikthehej shëndetshëm në habitatin e tij.