Në një lidhje të drejtpërdrejtë për Euronews, meteorologu i njohur Hakil Osmani, prezantoi parashikimin e motit për ditët e ardhshme. Sipas tij, edhe pse jemi në vjeshtë, java do të karakterizohet nga temperatura të larta dhe periudha të gjata me diell.
Mëngjeset do të jenë kryesisht të freskëta. Të mërkurën dhe të enjten, pritet mot me kthjellime të zgjatura dhe temperatura të larta, ndërsa gjatë pjesës së dytë të javës vranësirat do të shfaqen më shpesh.
Të lidhura
None found
Osmani tha se moti do të mbetet i qëndrueshëm këtë javë, me intervale të gjata me diell, veçanërisht në mëngjes dhe rreth mesditës në bregdet e në qytetet e ultësirës. Në zonat malore, pasdite mund të ketë herë pas here kalime të lehta vranësirash.
Deri të mërkurën dhe të enjten do të mbizotërojnë kthjellimet, kurse më pas vranësirat do të bëhen disi më të shpeshta. Gjatë fundjavës, veçanërisht të dielën, në zona të izoluara në lindje mund të bien pak pika shiu. Në pjesën tjetër të vendit do të vijojë moti i qëndrueshëm.
Dielli do të sjellë rritje të temperaturave në mesditë. Deri të mërkurën, vlerat maksimale pritet të arrijnë 30 apo 31 °C në qytetet e ulëta dhe në pjesën më të madhe të bregdetit, ndërsa në zonat malore do të shënojnë rreth 23 apo 24 °C.
Prej të enjtes temperaturat e larta do të nisin të ulen gradualisht, me maksimumet që parashikohen të zbresin në rreth 27 apo 28 °C. Megjithatë, ato do të jenë rreth 3 gradë mbi normalen për fillimin e tetorit.
Mëngjesin e sotëm, temperaturat minimale në qytetet malore janë regjistruar në 8 °C. Në ultësirën perëndimore ato kanë lëvizur nga 12 °C, ndërsa përgjatë bregdetit kanë qenë pranë 15-16 °C.
Nga e marta deri në mëngjesin e së enjtes pritet një rritje e lehtë graduale: minimumet do të jenë rreth 10 °C në zonat malore dhe nga 14 deri në 17 °C në ultësirën perëndimore e në bregdet, tha Osmani.
