
Gjatë fjalës së saj në konferencën e mbajtur sot në konferencën Ndërparlamentare, ambasadorja e BE në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa tha se kalendari i ngjeshur për vendimet në Kuvend nuk mund të vijë në dëm të cilësisë duke nënvizuar rëndësinë e mbikëqyrjes parlamentare dhe gjithëpërfshirjen e palëve politike.
“Faza ku gjendet Shqipëria do të kërkojë që institucionet të kërkojnë në mënyrë të përhershme pavarësi. Çfarëdo lloj vlerësimi për gjendjen ku ekziston një demokraci nuk bëhet vetëm me zgjedhjet, por edhe si e luan rolin e vet Kuvendi, transparenca, vendimmarrja dhe debati politik. Zëri i qytetarëve ofron gjithashtu hapësirën ku mund të shprehen dhe debatohen vendimet politike. Kalendari ambicioz nuk mund të vijë në dëm të cilësisë, mbikëqyrjes parlamentare dhe ndaj është kaq e rëndësishme qasja dhe gjithëpërfshirja. Anëtarësimi merr kuptim vetëm kur qytetarët kuptojnë çfarë do të thotë vërtet BE për jetën e tyre të përditshme”, tha Moreira de Sousa.
Më tej ajo shtoi se duhet që përfitimi i reformave të ndihet tek qytetarët.
“Detyra që mbetet është që shndërrimi të vazhdojë, përfitimet e reformave të ndihen nga qytetarët. Destinacioni është më shumë se anëtarësim, por një Europë më e bashkuar dhe rezistente ndaj kërcënimeve të së ardhmes, si dhe një Shqipëri që është e gatshme të kontribuojë në BE”- theksoi ajo. Versus.al

