Rusia godet Ukrainën, viktima e të plagosur

Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në sulmet e fundit ruse në disa qytete të Ukrainës.
Në Kharkiv, një bombë ajrore ruse goditi një ndërtesë apartamentesh, duke plagosur 29 persona, mes tyre edhe fëmijë. Lajmi u bë i ditur nga kryebashkiaku i qytetit, Ihor Terekhov.
Gjatë sulmeve të së dielës një tjetër sulm me dron shkaktoi viktima në një treg në periferi të kryeqytetit.
Prokurorët ukrainas thanë se dy persona u vranë dhe u plagosën dhjetë të tjerë. Në Kiev nëntë persona u plagosën, mes tyre edhe një fëmijë, ndërsa gjashtë prej tyre u dërguan në spital.
Edhe qyteti i Sumy-t, pranë kufirit me Rusinë, u godit nga tri bomba. Sipas autoriteteve lokale, dy persona u vranë pranë një qendre për mbështetjen e familjeve në nevojë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy dënoi sulmet duke akuzuar Moskën se po shenjestron objektiva civile dhe se synon të shkaktojë sa më shumë dëme në shoqërinë ukrainase.
Ndërkohë shefja e politikes së jashtme të BE-së Kaja Kallas ka deklaruar se raportet e inteligjencës tregojnë se Rusia po planifikon akte të tjera sabotimi në të gjithë Evropën.
“Duhet të jemi vigjilentë sepse shohim në informacionet e inteligjencës se Rusia po planifikon më shumë akte sabotimi dhe në fakt sulme kundër demokracisë sonë për të përçarë shoqërinë tonë, për të frikësuar shoqëritë tona që të mos i ndihmojnë Ukrainës. Pra, kjo është diçka që ata e kanë në mendje. Duhet ta mbajmë mend edhe këtë për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve edhe kur kemi informacione për të qenë në gjendje të reagojmë përpara se këto sulme të ndodhin”, tha Kallas.
Sulmet ruse ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase kanë qenë kryesisht të përqendruara gjatë natës, por autoritetet ukrainase thanë se në javët e fundit ato janë shtrirë pothuajse gjatë gjithë ditës. Ndërkohë, Moska ka deklaruar prej kohësh se synon ta kthejë rajonin e Sumy-t në një zonë tampon pranë kufirit.




