“Mund t’ju përgjigjem edhe në shqip”, deklaroi me humor Ardon Jashari për gazetarët zviceranë në zonën mikse, pas triumfit 3-0 të Zvicrës ndaj Maqedonisë së Veriut.
Të lidhura
None found
Mesfushori i Milanit u aktivizua në një rol të rëndësishëm, pasi duhej të mbulonte mungesën e kapitenit Granit Xhaka. Sfida u zhvillua në vendin nga vijnë prindërit e tij, ndërsa 24-vjeçari e kreu me sukses detyrën e ngarkuar.
“Mendoj se ishte një nisje e mirë, si për mua, ashtu edhe për skuadrën. Futbolli bazohet te bashkëpunimi dhe ne treguam disiplinë të madhe gjatë të dyja pjesëve, si në fazën e sulmit, ashtu edhe në atë të mbrojtjes”, tha Jashari.
Paraqitjet e tij, mënyra e lojës dhe origjina shqiptare kanë bërë që ai të krahasohet shpesh me Granit Xhakën. Megjithatë, mesfushori thekson se synon të ndërtojë identitetin e tij në fushë.
“U mundova të shfaq cilësitë e mia dhe të kontribuoj për ekipin. Nuk hyra në fushë për të zëvendësuar Granitin, por për të bërë atë që kam bërë gjithmonë”, u shpreh ai për SRF.
Krahasimi me kapitenin e Zvicrës nuk përbën shqetësim për Jasharin.
“Ndihem krenar që më vendosin përkrah lojtarit me më shumë paraqitje në historinë e Kombëtares sonë. Sidoqoftë, prejardhja jonë është krejt e ndryshme dhe po kështu edhe stilet e lojës. Ndoshta, megjithatë, ato mund të plotësojnë njëra-tjetrën”, deklaroi ai.
Ndeshjen e radhës, Zvicra do ta luajë në transfertë përballë Skocisë./
