Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, pas një procesi të gjerë konsultimi me qytetarët, ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për ndarjen administrativo-territoriale, me 100 bashki dhe 12 qarqe.
Kreu i grupit, Gazment Bardhi thotë se projektligji është rezultat i një procesi të gjatë pune dhe konsultimi të zhvilluar nga anëtarët e opozitës në Komisionin e Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale.
Në mënyrë konkrete, projektligji dhe propozimi përkatës u hartuan nga deputeti Luçiano Boçi, bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm, së bashku me deputetët Bledjon Nallbati, Jorida Tabaku, Xhelal Mziu, Ramadan Likaj, Enno Bozdo, Edmond Haxhinasto dhe Vangjel Dule, në cilësinë e anëtarëve të këtij Komisioni.
"Propozojmë bashki funksionale në secilin qark aty ku ato janë të nevojshme për të krijuar: më shumë afërsi, më shumë demokraci, më shumë përgjegjshmëri, më shumë shërbime, më shumë autonomi dhe më shumë zhvillim për qytetarët", shkruan Bardhi.
Në këtë proces dhanë kontributin e tyre të çmuar edhe ekspertët e opozitës në Komisionin e Posaçëm, të cilët vunë në dispozicion ekspertizën e tyre më të mirë teknike dhe profesionale: Agron Haxhimali, Ylli Asllani, Imeld Sokoli, Lorenc Luka, Gent Kaprata, Maks Kola, Lazarin Lufi, Shpend Balilaj, Egli Hyka, Tedi Kopliku, Endira Bushati, Artan Manushaqe, Ledio Nuraj, Petraq Milo, Xhodi Hysa, Saimir Berberi, Eda Grimçi, Adriatik Kotorri, Dorjan Teliti dhe Marash Logu.
Kontributi i deputetëve dhe ekspertëve të angazhuar në këtë proces synoi të evidentonte problematikat e krijuara nga reforma administrativo-territoriale 2014 dhe të paraqiste propozime konkrete për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional në këtë fushë.
