Tabaku: SPAK nën presion, integrimi në BE kërkon rezultate dhe zbatim të reformave
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, deklaroi në Konferencën Ndërparlamentare se forcimi i institucioneve të drejtësisë përbën një hap të rëndësishëm për Shqipërinë, por paralajmëroi se Prokuroria e Posaçme (SPAK) vijon të përballet me presione dhe tentativa për ndërhyrje politike. Tabaku theksoi se respektimi i prezumimit të pafajësisë duhet të ecë paralelisht me kërkesën për përgjegjësi politike dhe profesionale.
“Prezumimi i pafajësisë nuk na ndalon të kërkojmë përgjegjësi politike e profesionale”, u shpreh ajo, duke shtuar se ndërhyrja e politikës në drejtësinë duhet të shmanget dhe se “mosndërhyrja te SPAK duhet të jetë zbatim i Kushtetutës, jo si nder që politika ia bën drejtësisë”. Sipas Tabakut, SPAK ndodhet aktualisht nën presion politik dhe verbal. Ajo ngriti shqetësimin për atë që e cilësoi si përpjekje për të ndikuar në punën e Prokurorisë së Posaçme.
“Sot SPAK është nën presion, qoftë politik, qoftë verbal. Shohim përpjekje, shohim avokati politike, provat minimizohen ose parlamenti përdoret për t’i vendosur pengesa drejtësisë”, deklaroi deputetja e PD-së. Në fjalën e saj, Tabaku u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke nënvizuar se anëtarësimi në Bashkimin Europian përbën një aspiratë që bashkon forcat politike në Shqipëri. “Pavarësisht ndasive tona politike, Shqipëria duhet patjetër ta përfundojë me sukses anëtarësimin në BE. Ky konsensus është një nga pasuritë më të mëdha që ka Shqipëria”, tha ajo. Tabaku argumentoi se procesi i integrimit nuk duhet të shihet vetëm përmes hapjes apo mbylljes së kapitujve negociues, por mbi të gjitha përmes mënyrës se si funksionojnë institucionet dhe zbatohet ligji.
“Procesi i integrimit matet me mënyrën si funksionon shteti, si shpenzohen paratë publike dhe si zbatohet ligji”, u shpreh ajo, duke theksuar se Bashkimi Europian kërkon “zbatim, rezultate të qëndrueshme dhe bindëse”. Deputetja kërkoi gjithashtu që lufta kundër korrupsionit të mos kufizohet vetëm te hetimet dhe arrestimet, por të shtrihet edhe në funksionimin e ekonomisë dhe parandalimin e qarkullimit të parave të paligjshme. “Lufta ndaj korrupsionit të mos ndalet vetëm te arrestimet. Një ekonomi konkurrente që lufton paranë e pistë”, deklaroi Tabaku.
Në përfundim, ajo kërkoi që Shqipëria ta shohë procesin e integrimit europian si një mundësi për forcimin e institucioneve dhe shtetit të së drejtës. “Duhet ta shohim këtë proces si mundësi transformimi, shtetformimi, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë”, tha Tabaku, duke e përmbledhur mesazhin e saj me thirrjen: “Duhet të hyjmë nga dera e reformave”.

