Fitoret e këtij muaji të partive të së djathtës dhe së majtës ekstreme në zgjedhjet shtetërore gjermane kanë intensifikuar debatin zyrtar mbi atë nëse autoritetet e sigurisë mund të kufizojnë informacionin sekret që mund t'u kalojë Rusisë ose grupeve kriminale. Partia e së djathtës ekstreme "Alternativa për Gjermaninë", e cila më 6 shtator iu afrua fitimit të një shumice absolute në landin lindor Saksoni-Anhalt, dhe "Partia e Majtë" (Die Linke), e cila doli e para në kryeqytetin Berlin më 20 shtator, mund të përbëjnë rreziqe, sipas figurave të larta të koalicionit qeverisës. Në sistemin federal të Gjermanisë, landet kanë agjencitë e tyre të brendshme të inteligjencës nën kontrollin e qeverisjes vendore; këto agjenci shkëmbejnë informacione me njëra-tjetrën dhe bashkëpunojnë me Zyrën Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës. Politikanë nga parti rivale dhe ish-zyrtarë të sigurisë kanë shprehur shqetësimin se, nëse agjencitë kalojnë nën autoritetin e ministrave nga e djathta ose e majta ekstreme, informacioni konfidencial mund të rrjedhë drejt Moskës ose, në rastin e Berlinit, drejt grupeve që hetohen për lidhje të dyshuara me krimin e organizuar. AfD-ja i hedh poshtë akuzat e partive rivale se është në aleancë faktike me presidentin rus Vladimir Putin, duke deklaruar se synon vetëm të shmangë luftën dhe kundërshton ofrimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën nga ana e Gjermanisë. "Partia e Majtë" nuk ka reaguar por drejtuesit e saj kanë deklaruar më herët se e konsiderojnë të papranueshme çdo lidhje me ato që policia gjermane i identifikon si struktura klanore brenda komuniteteve kurde, libaneze dhe palestineze në Berlin, të përfshira në krimin e organizuar.