Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Ferëm Çlirim të Fierit, ku një 71-vjeçar ka humbur jetën pasi banesa e tij u përfshi nga flakët. Paraprakisht dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike.
Burime nga Komisariati i Fierit bëjnë me dije se banesa e të moshuarit u shkrumbua plotësisht nga flakët. Në banesë nuk është konstatuar prania e një bombole gazi, duke bërë që hetimet të shkojnë drejt mundësisë së një defekti elektrik.
Për shkak të dëmtimeve të shumta nga zjarri, ekspertët e kanë pasur të vështirë të sigurojnë të dhëna të mjaftueshme për përcaktimin e shkakut. Pajisjet elektroshtëpiake, si dhe sistemi i shpërndarjes së energjisë elektrike në banesë, janë djegur plotësisht.
Për këtë arsye, grupi hetimor po kryen këqyrje të detajuara në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të zjarrit. Po ashtu autoritetet kanë marrë edhe dëshmitë e të afërmve të 71-vjeçarit, të cilët janë shprehur se në banesë kishte pajisje të vjetruara elektrike.
Mësohet se 71-vjeçari jetonte i vetëm prej disa vitesh dhe ishte i paralizuar, ai ishte babai i dy vajzave dhe një djali, të cilët jetojnë në qytetin e Vlorës. Trupi i të moshuarit u gjet i karbonizuar brenda banesës.

