
Prodhimi industrial në Shqipëri dha sinjale të përziera gjatë vitit 2025, me rritje në industrinë e materialeve të ndërtimit, ushqimore dhe pjesëve për automjete, por me tkurrje të ndjeshme në disa prej produkteve kryesore të industrisë nxjerrëse.
Sipas Anketës së Produkteve Industriale, të publikuar të hënën nga Instituti i Statistikave, prodhimi i çimentos Portland arriti në rreth 1.99 milionë tonë, ose 2.5 për qind më shumë se një vit më parë, ndërsa prodhimi i betonit të gatshëm u rrit me 3.5 për qind, në 1.77 milionë tonë.
Rritje më të fortë shënuan sistemet e fijeve elektrike të izoluara për automjete, prodhimi i të cilave u shtua me 8.7 për qind, si dhe buka e freskët, me një rritje prej 8.4 për qind.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një rritje të vlerës së shitjeve për disa produkte të lidhura me ndërtimin. Shitjet e llaçit të prodhuar në fabrikë u rritën me 19.5 për qind, ndërsa ato të aluminit të lidhur të papërpunuar me 15.4 për qind. Shitjet e bukës së freskët u rritën me 11.1 për qind dhe ato të ujit mineral dhe të gazuar me 8 për qind.
Por pamja e prodhimit ‘Made in Albania’ ishte më negative për industrinë nxjerrëse.
Vlera e shitjeve të naftës bruto ra me 24.3 për qind, ndërsa ajo e xeherorëve dhe koncentrateve të kromit u tkurr me 23.9 për qind krahasuar me vitin 2024.
Sipas INSTAT prodhimi i naftës bruto ra nga 716 mijë tonë në vitin 2024 në 634 mijë tonë në 2025, ndërsa vlera e shitjeve zbriti nga 29.9 miliardë lekë në 22.6 miliardë lekë. Prodhimi i kromit ra nga 588 mijë në rreth 503 mijë tonë, ndërsa vlera e shitjeve u zvogëlua nga 14.9 miliardë në 11.4 miliardë lekë.
Në të kundërt, shitjet e çimentos qëndruan pothuajse të pandryshuara në rreth 19.4 miliardë lekë, ndërsa ato të betonit të gatshëm u rritën nga 13 miliardë në 13.7 miliardë lekë. Sistemet e fijeve elektrike për automjete krijuan rreth 9.5 miliardë lekë shitje, nga 8.7 miliardë një vit më parë.
Sipas INSTAT, industria ushqimore vijoi të kishte peshën më të madhe në shitjet e produkteve industriale, duke zënë 16.4 për qind të totalit. Ajo pasohej nga prodhimi i produkteve minerare jo metalike me 14.4 për qind dhe metalurgjia me 8.4 për qind.






