Kuvendi miraton deklaratën e PDK-së në mbështetje të UÇK-së pas aktgjykimit të Speciales

Me 99 vota PRO, Kuvendi i Kosovës miratoi këtë të hënë deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Deklarata u propozua nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa teksti i saj u harmonizua nga të gjitha grupet parlamentare shqiptare. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se teksti i deklaratës ishte harmonizuar paraprakisht ndërmjet të gjitha grupeve parlamentare. ”Ne kemi një draft të dakorduar nga të gjitha grupet parlamentare. E vlerësoj faktin që Kuvendi është i bashkuar në raport me këtë vendim”, deklaroi Haxhiu.

Në deklaratë, Kuvendi shpreh shqetësimin e tij të thellë për aktgjykimin e shkallës së parë. Ai ngre shqetësime edhe për mungesën e transparencës dhe shkeljen e standardeve të gjykimit të drejtë. Kuvendi e konsideron të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët, si dhe përgjegjësinë që, mbi atë përfundim, i është atribuuar secilit prej tyre.

Përmes deklaratës, Kuvendi u kërkon të gjitha institucioneve shtetërore të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare. Ai bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, me veprime juridike, institucionale dhe diplomatike. Deklarata rikujton se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lindi në rrethanat e represionit dhe krimeve të regjimit të Slobodan Millosheviqit. Ajo thekson rëndësinë vendimtare të ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës dhe çlirimin e Kosovës, si dhe bashkëpunimin e saj me UÇK-në.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kuvendi vlerëson gjithashtu se Dhomat e Specializuara kanë dalë jashtë mandatit për të cilin Kuvendi pranoi themelimin e tyre. Deklarata kundërshton çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës ose për ta vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare. Në përmbyllje, Kuvendi zotohet të mbrojë pa kompromis të vërtetën e luftës çlirimtare si dhe të drejtën e të dënuarve për një gjykim të drejtë i cili përmbush standardet e kërkuara.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?