Nga Kavaja në Tiranë e Durrës/ Zbardhen 6 vjedhje automjetesh, arrestohen 2 persona
Nga Alessio Postiglione
Shqipëria përfaqëson një gur shahu gjeopolitik themelor për Italinë e udhëhequr nga Giorgia Meloni, por problemet e shtetit të së drejtës në Tiranë rrezikojnë të minojnë strategjinë e qeverisë sonë. Hapi i gabuar – i maturuar tërësisht brenda Partisë Socialiste shqiptare, bashkëbiseduese e privilegjuar e kryeministres sonë – ka të bëjë me kryebashkiakun e kryeqytetit, Erion Veliajn.
Historia është një lloj “Tangentopoli” lokale, që hedh hije jo vetëm mbi dukuritë korruptive, por edhe mbi përdorimin politik të drejtësisë dhe abuzimin me masat e sigurimit në vendin ballkanik. Më 15 shtator të kaluar,
Gjykata e Lartë shqiptare vendosi lënien në fuqi të masës së sigurimit “arrest në burg” për kryebashkiakun e Tiranës. Vendimi shpërfilli një vendim të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese shqiptare, e cila e kishte cilësuar paraburgimin e Veliajt “joproporcional” dhe antikushtetues shkarkimin e tij nga posti i kryebashkiakut, duke i privuar qytetarët nga përfaqësuesi i tyre i zgjedhur në mënyrë demokratike dhe zyrtarisht ende në detyrë. Veliajt iu caktua masa e sigurimit më 10 shkurt 2025, me urdhër të SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ky organ, i krijuar me mbështetjen dhe financimet e Bashkimit Evropian, përbën një nga shtyllat institucionale për përafrimin me acquis communitaire, të nevojshëm për hyrjen e Tiranës në BE, një rrugëtim për të cilin Italia është bërë garante. Megjithatë, përtej akuzave për korrupsion që i drejtohen kryebashkiakut (të cilat do të duhet të shqyrtohen në një proces të rregullt gjyqësor), Veliaj mbetet i privuar nga liria personale. Ajo që e bën tablonë të veçantë është motivimi i paraqitur nga SPAK-u, i cili u mbështet te mosregjistrimi i kryebashkiakut në FARA (Foreign Agents Registration Act), regjistri amerikan i lobistëve. Në këtë regjistër ishte regjistruar në fakt një studio ligjore e lidhur me kryebashkiakun, për të mbrojtur kauzën e tij në Shtetet e Bashkuara, vend ku Veliaj ka qenë gjithmonë shumë aktiv.
Thirrja në FARA përbën megjithatë një anomali procedurale: bëhet fjalë për një detyrim burokratik amerikan që nuk përbën vepër penale as në SHBA, as në Shqipëri. Jo rastësisht, vetë Kushtetuesja shqiptare kishte dënuar përdorimin joproporcional të paraburgimit. Çështja merr nuanca delikate si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Veliaj, figurë kyçe e Partisë Socialiste (PS) dhe ish-ministër, është konsideruar për vite me radhë si delfini dhe pasardhësi natyror i kryeministrit Edi Rama. Megjithatë, me kalimin e kohës, marrëdhëniet mes të dyve u përkeqësuan gradualisht dhe u shndërruan në një rivalitet të hapur për udhëheqjen. A bëhet fjalë, pra, për një abuzim gjyqësor? Për një rast drejtësie të politizuar, të zhvilluar paradoksalisht nga po ajo Prokurori që lindi për ta përafruar Shqipërinë me standardet evropiane? Një paralajmërim në këtë drejtim ka ardhur drejtpërdrejt nga Brukseli.
Eurodeputeti Sandro Gozi, sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike Evropiane (PDE/Reneë Europe), ka shprehur shqetësim të fortë. Ai deklaroi se paraburgimi i zgjatur ngre “pikëpyetje serioze mbi domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin” e masës dhe i kujtoi Ramës se “Shqipëria meriton përgjigje, një shtet të së drejtës efektiv dhe respektim të vullnetit demokratik, jo shkurtore gjyqësore”. Nuk bëhet fjalë për të përcaktuar fajësinë apo pafajësinë e Veliajt, as për të frenuar luftën e domosdoshme kundër korrupsionit, por për të kuptuar rreziqet e heshtjes mbi garancitë demokratike në Tiranë. Nëse institucioni antikorrupsion vepron përmes paraburgimesh të paqarta, instrumentalizon detyrime administrative të huaja si FARA dhe tregohet i papërshkueshëm edhe ndaj thirrjeve të vetë Gjykatës Kushtetuese të vendit, atëherë lëkundet i gjithë modeli i paraaderimit në BE. Kjo e ekspozon Italinë ndaj rrezikut të bëhet garante e pakushtëzuar e një sistemi që cenon shtetin e së drejtës.
Top Channel