“Për Shqipërinë, zgjedhja evropiane nuk është diktuar nga leverdia apo rrethanat. Ajo ka qenë një vendim strategjik kombëtar, i përqafuar nga breza shqiptarësh dhe i mbështetur nga një konsensus jashtëzakonisht i fortë publik”.
Kështu deklaroi nga Konferenca Ndër-parlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë” në Tiranë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Sipas tij, Evropa për Shqipërinë nuk është thjesht një destinacion, por një kthim në shtëpinë ku përket.
Hoxha theksoi se Shqipëria ka ndërmarrë një nga agjendat më ambicioze të transformimit në historinë e saj, nga reformimi i sistemit të drejtësisë, te modernizimi i administratës dhe përmirësimi i qeverisjes.
Parimi i meritës, për Ministrin e Jashtëm, mbetet thelbësor për besueshmërinë e procesit të zgjerimit, ndërkohë që Shqipëria nuk kërkon rrugë të shkurtra, por njohje dhe shpërblim të përparimit të arritur.
“Ne nuk kërkojmë favore, as rrugë të shkurtra. Kërkojmë një proces të drejtë, të besueshëm dhe të bazuar në merita; një proces në të cilin rezultatet sjellin përparim dhe përparimi të mund të njihet. Parimi i meritës është thelbësor për besueshmërinë e procesit të zgjerimit dhe duhet të mbetet në thelb të tij. Por besueshmëria duhet të funksionojë në të dyja drejtimet. Vendet kandidate duhet të realizojnë reformat, zbatimin e tyre dhe rezultate të prekshme. Bashkimi Evropian duhet ta njohë gjithashtu dhe t’i përgjigjet përparimit kur ai arrihet me sukses”, deklaroi Hoxha.
Për Shqipërinë, përparimi në rrugën drejt BE ka qenë i konsiderueshëm.
“Në më pak se dy vjet kemi hapur të gjithë kapitujt, kemi përmbushur standardet dhe kemi nisur fazën e fundit, atë të mbylljes së kapitujve. Anëtarësimi nuk ka të bëjë thjesht me arritjen e një date në kalendar. Ka të bëjë me arritjen e nivelit të përgatitjes që i mundëson një vendi të kontribuojë plotësisht në projektin evropian, që nga dita e parë. Kjo është arsyeja pse fokusi i Shqipërisë tani është qartësisht te zbatimi. Angazhimi ynë është i palëkundur. Reformat tona vazhdojnë. E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Dhe e ardhmja e një Bashkimi Evropian më të fortë, më të sigurt dhe më të plotë përfshin pa diskutim Shqipërinë”, nënvizoi Ministri.
Lini një Përgjigje