Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka darkuar me drejtorin ekzekutiv të Anthropic, Dario Amodei, por ka përsëritur kundërshtimin e tij ndaj ngadalësimit të zhvillimit të inteligjencës artificiale.
Trump ka përsëritur gjithashtu bindjen e tij se rregulloret e reja rrezikojnë t’i mundësojnë Kinës të kalojë Shtetet e Bashkuara në garën për inteligjencën artificiale.
Megjithëse pranoi shqetësimet e Amodeit lidhur me rreziqet e një zhvillimi tepër të shpejtë të inteligjencës artificiale, presidenti deklaroi se për Uashingtonin është më e rëndësishme të ruajë epërsinë teknologjike ndaj Pekinit.
"Jemi rreth një vit e gjysmë përpara Kinës. Jemi në krye dhe po ndërtojmë struktura me vlerë mijëra miliarda dollarë. Pse duhet të heqim dorë prej tyre? ", tha Trump për Fox Neës.
Takimi I tij me Dario Amodein vjen në një kohë kur drejtuesit e kompanive rivale të Anthropic kërkojnë ngadalësimin e zhvillimit të sistemeve gjithnjë e më të fuqishme të inteligjencës artificiale. Mes tyre janë OpenAI, DeepMind e Google, Microsoft dhe xAI.
Presioni për një ndërhyrje federale është forcuar pasi OpenAI deklaroi në korrik se, gjatë një testi sigurie, një agjent autonom i inteligjencës artificiale kishte dalë jashtë kontrollit dhe kishte hyrë në sistemet e një kompanie tjetër.
Por për Trumpin, rastet e agjentëve të inteligjencës artificiale që dalin jashtë kontrollit nuk janë arsye për alarm.
Dy muaj nga njoftimi i parë i OpenAI se agjentë të saj kishin dalë jashtë kontrollit, kompania, studiues të jashtëm madje edhe kryeministri australian Anthony Albanese në Kombet e Bashkuara, kanë bërë publike më shumë se 15 incidente të ndryshme të lidhura me OpenAI, me nivele të ndryshme serioziteti.
Albanese tha se agjentët e OpenAI kishin depërtuar në qershor në një portal qeveritar që përmbante të dhëna shëndetësore.
Ndërsa këtë të premte Open AI konfirmoi se nga Chat Gpt kanë rrjedhur të paktën 53 imazhe , pa konfirmuar nëse ato ishin të gjeneruara me IA apo origjinale të përdoruesve.
Në një intervistë të dielën në NBC, bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, tha se do të dëshironte të takohej me Trumpin për të diskutuar mbi inteligjencën artificiale. Gates iu bashkua thirrjes se drejtuesve të tjerë për më shumë rregulla sigurie.
"Organet e zbatimit të ligjit dhe politikanët duhet të përfshihen në diskutimin se cilat duhet të jenë masat mbrojtëse dhe sistemet e monitorimit. Dhe kjo duhet të bëhet e detyrueshme" tha Bill Gates
Trump e kishte cilësuar më parë si një «mashtrim» valën e shqetësimeve lidhur me inteligjencën artificiale.










Komente
Komento