Futbollisti i Kombëtares largohet nga grumbullimi, i bashkohet u-21

Portieri Simon Simoni është larguar nga grumbullimi i Kombëtares shqiptare dhe do t’i bashkohet ekipit kuqezi U21, i cili do të zhvillojë ndeshje miqësore gjatë ditëve në vijim.
Simoni ishte pjesë e skuadrës së drejtuar nga trajneri i Kombëtares A, por në sfidën ndaj Bjellorusisë e ndoqi takimin nga tribuna.
Duke pasur parasysh konkurrencën në repartin e portës, pritej që edhe në ndeshjet e ardhshme të mos kishte minuta në dispozicion.
Për këtë arsye, stafi teknik ka vendosur që portieri të lihet i lirë për t’iu bashkuar Shqipërisë U21, ku do të ketë mundësinë të luajë dhe të fitojë minuta të rëndësishme në kuadër të angazhimeve të ekipit të të rinjve.
Ky vendim i jep Simonit mundësinë të jetë në fushë dhe të vazhdojë të ruajë ritmin e ndeshjeve, ndërsa Kombëtarja A vijon përgatitjet për sfidat e saj të radhës.




