Në seancën e sotme plenare Kuvendi i Kosovës ka miratuar deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila u propozua nga Partia Demokratike e Kosovës dhe u mirëprit nga të gjitha grupet parlamentare shqiptare.
Përgjatë deklaratës, Kuvendi ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për aktgjykimin e shkallës së parë, ku është shprehur mungesë e transparencës dhe shkeljen e standardeve të gjykimit të drejtë.
Më tej, përgjatë deklaratës së përbashkët deputetët e kanë cilësuar të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët, si dhe përgjegjësinë që, mbi atë përfundim, i është atribuuar secilit prej tyre.
Për rrjedhojë, Kuvendi u kërkon të gjitha institucioneve shtetërore të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare.
Kuvendi vlerëson gjithashtu se Dhomat e Specializuara kanë dalë jashtë mandatit për të cilin Kuvendi pranoi themelimin e tyre.
Në përmbyllje, Kuvendi zotohet të mbrojë pa kompromis të vërtetën e luftës çlirimtare si dhe të drejtën e të dënuarve për një gjykim të drejtë i cili përmbush standardet e kërkuara.

