Gjykata e Tiranës ka lënë në arrest në burg 31 personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Shkolla të Pastra”, të dyshuar për shpërndarje droge në zona të ndryshme të kryeqytetit. Prokurori i çështjes ka deklaruar se gjatë hetimeve janë përdorur blerës të infiltruar, kryesisht agjentë të Policisë së Shtetit, për dokumentimin e rasteve të shitjes së lëndëve narkotike. Sipas hetimeve, kokaina ishte lënda narkotike që qarkullonte më së shumti dhe shitej në zona të ndryshme të Tiranës, përfshirë Alliasin, Tiranën e Re dhe zonën e ish-Parkut. Një dozë prej rreth 0.4 gramësh shitej për 4 mijë deri në 5 mijë lekë të reja. Ndërkohë, 14 persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në aktivitetin e paligjshëm janë ende në kërkim. Për këtë çështje, gjashtë persona të tjerë ishin arrestuar më herët dhe ndodhen në burg.