Në muajin gusht 2026 janë regjistruar 139 aksidente rrugore, në të cilat 191 persona kanë mbetur të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur). Gjatë periudhës janar-gusht 2026, numri i aksidenteve rrugore është rritur me 6,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave nga INSTAT, Gjatë muajit gusht 2026, 86,3 % e aksidenteve rrugore kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve.
Grupmosha 25-34 vjeç paraqet numrin më të lartë të aksidenteve, duke përbërë 31,7 % të numrit total të aksidenteve të regjistruara në këtë periudhë.

Numri më i lartë i aksidenteve rrugore, sipas ditëve të javës, është shënuar ditën e hënë me 18,0 %, ndërsa numri më i ulët është regjistruar ditën e mërkurë dhe të premte me 11,5 % secila, ndërsa përsa i përket harkut kohor, ai ka qenë 19:00-24:00, duke përbërë 20,1 % të numrit total të aksidenteve rrugore.
Qëllimi i publikimit mujor të aksidenteve rrugore është paraqitja e rezultateve dhe treguesve mbi aksidentet rrugore, si: ndryshimi në numrin e aksidenteve mujore, numrin e personave të vrarë dhe të plagosur nga aksidentet rrugore, të klasifikuar sipas gjinisë, sjelljes së përdoruesve të rrugës, moshës dhe qarqeve në vend, duke i krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është institucioni që i siguron INSTAT-it një sistem të gjerë informacioni lidhur me aksidentet rrugore.
