Foto ilustruse
TIRANA- Gjykata e Lartë dhe 2 shoqatat e gjyqtarëve kanë refuzuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për një tryezë konsultimi mbi pagat e magjistratëve. Ata kanë deklaruar se për sa kohë ligji i ri është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, diskutimi për formulën e pagave duhet të presë vendimmarrjen e saj.
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, bëri të ditur se institucioni që ai drejton nuk do të jetë i përfaqësuar në tryezë. Sipas Sadushit, që prej momentit kur Kryeministri Rama bëri ftesën, ka pasur një zhvillim të ri, pasi ligji i është nënshtruar kontrollit kushtetues. Për këtë arsye, ai theksoi se fillimisht duhet të shprehet Gjykata Kushtetuese.
“Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, dialogu për këtë objekt mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur”, tha Sadushi.
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka deklaruar se deri në një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me padinë e paraqitur nga shoqatat e magjistratëve, është e pamundur për ne pjesëmarrja në tryezën e konsultimit. Më tej, ata thonë se shoqata vlerëson se nuk do të ishte e përshtatshme pjesëmarrja e saj në një diskutim institucional mbi të njëjtën çështje përpara përfundimit të këtij procesi
“Deri në një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me padinë e paraqitur nga shoqatat e magjistratëve, është e pamundur për ne pjesëmarrja në tryezën e konsultimit të datës 28 shtator 2026. Shoqata vlerëson se nuk do të ishte e përshtatshme pjesëmarrja e saj në një diskutim institucional mbi të njëjtën çështje përpara përfundimit të këtij procesi”, thuhet në përgjigje./Dosja.al