Nga Agjenda Strategjike për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, deputetja e PD, Albana Vokshi ngriti shqetësimin, mbi mburojën që mazhoranca po krijon ndaj korrupsionit.
Gjatë fjalës së saj, Vokshi tha se të gjitha institucionet ligjzbatuese, përfshirë Policinë e Shtetit dhe SHISH janë vënë në shërbim të krimit, teksa iu referua arrestimit të drejtueses, Vlira Hyseni dhe marrjes në pyetje dhe kontrollit në banesë të ish kryepolicit Ilir Proda nga ana e SPAK.
Sipas Vokshit, paratë e krimit të organizuar, paratë e trafikut të drogave që bëhen nga grupet shqiptare nga Amerika Latine në portet e Evropës, pastrohen tek kullat luksoze apo në resortet luksoze në jug.
‘Paratë pastrohen dhe kthehen përsëri mbrapsht tek ekonomitë tuaja, duke deformuar konkurrencën dhe ekonominë’.
Vokshi parashtroi gjithashtu dhe kërkesat e opozites, ku tha se standardet përfundimtare duhet të jenë të detyrueshme
Po ashtu shqetësues është fakti që mazhoranca po krijon atë që do t'i quaja shtresa për mbrojtjen e korrupsionit. Nëse kërkohet arrest, përdoren votat për refuzimin e heqjes së imunitetit. Por nëse nuk kërkohet arrest por hetim, atëherë kryeministri propozon në kodin e procedurës penale ndryshimin e nenit 242 për të krijuar super imunitet për të mbrojtur veten dhe ministrat e tjerë. Rasti tjetër famoz, AKSHI. Agjencia që administron platformën e-Albania dhe serverat shtetërorë, ku ruhen të dhënat e çdo qytetari, në duar të elementëve kriminalë.
19 tenderë kishin një vlerë prej 59 milionë eurosh, të cilat po hetohen nga SPAK-u. Nuk janë pretendime të opozitës. Ndërkohë që ky element i krimit të organizuar, Agasi, i cili i u shmang arrestimit për tetë muaj, është i njëjti individ që lidhej me drejtuesen e inteligjencës, e SHISH-it. Më pas në 22 shtator, drejtuesja e shërbimit të inteligjencës, një institucion që shkëmben informacione, u vendos në arrest shtëpie. Dyshohet se ka nxjerrë informacione sekrete dhe ka ndihmuar Agasin. Ndërkohë që ish-drejtori i përgjithshëm i policisë u mor në pyetje dhe shtëpia iu kontrollua. Të gjithë në shërbim të krimit.
Pastrimi i parave, një kapitull që mund të mbyllet me sukses, por ka një problem shumë të madh, sepse paratë e krimit të organizuar, paratë e trafikut të drogave që bëhen nga grupet shqiptare nga Amerika Latine në portet e Evropës, pastrohen tek kullat luksoze, të bukura që ju i keni parë në Tiranë apo në resortet luksoze në jug. Paratë pastrohen dhe kthehen përsëri mbrapsht tek ekonomitë tuaja, duke deformuar konkurrencën dhe ekonominë. Pra nuk është një çështje shqiptare. Kush janë pasojat e narkoshtetit? Euro dhe dollari janë zhvlerësuar 32-35% ndaj lekut, më shumë se kudo tjetër në botë, duke goditur rëndë eksportet. Sipas Eurostatit, prodhimi industrial ka rënë me 5.3%. Ndërkohë, kanali kryesor për pastrimin e parave të drogës zhvillohet me një ritëm të ri tre herë më të lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian.
Po kush është dëmi më i madh i bërë Shqipërisë? Dëmi demografik. Mbi 1 milion shqiptarë kanë lënë vendin. Pse? Sepse nuk kanë shpresë. Duhet ta pranojmë kush është problemi në mënyrë që ta zgjidhim atë. Prej 118 ditësh qytetarët protestojnë para godinës së qeverisë. Një resort i planifikuar në zonën e mbrojtur ishte shkëndija, por nuk ishte shkaku i vërtetë i protestës. Kërkesat e protestuesve, qytetarëve, Gen-Z që kanë 118 ditë para kryeministrisë, kush janë? Dorëheqje e kryeministrit, qeveri kujdestare, zgjedhje të lira e të ndershme, përafrim real i legjislacionit me AKI. Pra janë themelore. Atë që kërkojmë të gjithë ne, që fillon nga zgjedhjet e lira e të ndershme.
Çfarë ne kërkojmë si opozitë? Standardet përfundimtare të jenë të detyrueshme. Kompetenca e SPAK-ut për të kërkuar pezullimin e zyrtarëve duhet të mbetet e paprekur. Pra të mos krijohet super imunitet. Rastet e AKSHI-t dhe SHISH-it duhet të vlerësohen para mbylljes së çdo kapitulli. Dy, duhet të kërkohet një vlerësim i pavarur i dëmit të mundshëm në shërbimin e inteligjencës, rezultatet e të cilit mund të ndahen me aleatët. Tre, zgjedhje të lira dhe të barabarta të trajtohen si standard themelor, jo shënim anësor i procesit. Rekomandimet e ODIHR-it duhet të shndërrohen në standarde detyruese të procesit të integrimit. Pesë, të kërkohet auditim i pavarur në bashkëpunim me Moneyval i flukseve financiare që hyjnë në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe të ndërtimit.
Nëse shpërblejmë numrin e kapitujve dhe jo përmbajtjen e reformave, zgjerimi nuk do të eksportojë stabilitet. Evropa u ndërtua mbi lirinë, mbi demokracinë, barazinë para ligjit dhe kufizimin e pushtetit. Nëse këto vlera relativizohen në emër të stabilitetit, atëherë Evropa nuk do të jetë as më e fortë, as më e sigurt, sepse forca e saj nuk ka ardhur kurrë nga tolerimi i autokracisë, por nga mbrojtja e lirive që e dalluan nga regjimet autoritare të shtetit të kaluar.
© SYRI.net