E hënë, 28 Shtator 2026 Zilia deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Zbulohen 6 lokale ku luheshin lojëra fati pranë shkollave në Tiranë, arrestohen 8 persona

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Barriera”, në kuadër të kontrolleve për goditjen e veprimtarive të paligjshme në dhe pranë institucioneve arsimore. Gjatë operacionit janë zbuluar 6 lokale në zona të ndryshme të kryeqytetit, ku zhvilloheshin lojëra fati dhe viheshin baste sportive përmes celularëve.

Në kuadër të operacionit janë arrestuar në flagrancë 8 persona, mes tyre dy punonjës të lokaleve, 20 dhe 23 vjeç, si dhe gjashtë persona të tjerë që, sipas policisë, u kapën duke vënë baste në ambientet e subjekteve.

Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike, në koordinim me Prokurorinë, shërbimet e Komisariatit Nr. 2 dhe Forcën e Posaçme Operacionale. Sipas policisë, hetimi u krye përmes metodave proaktive, me fokus veçanërisht lokalet pranë institucioneve arsimore.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi si prova materiale 10 pajisje, konkretisht një pajisje DVR dhe 9 celularë me faqe aktive për lojëra fati.

Sipas uniformave blu, kontrollet dhe hetimet do të vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari të kundërligjshme.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.