Përplasja Odegaard–Bernardo Silva, norvegjezi revoltohet: Këto gjëra nuk kanë vend në futboll!
Një ndërhyrje e vonuar e Bernardo Silvës ndaj Martin Ødegaard në minutat e fundit të ndeshjes Norvegji–Portugali shkaktoi tension në fushë dhe irritoi kapitenin norvegjez. Pas përfundimit të takimit, Ødegaard foli për episodin dhe kritikoi ndërhyrjen e mesfushorit portugez.
“Më rrëzoi në tokë shumë kohë pasi e kisha pasuar topin. Nuk e kuptoj se çfarë po bënte. Nuk e di çfarë kishte ndërmend të bënte”, deklaroi Ødegaard.
Kapiteni i Norvegjisë vijoi me kritikat ndaj episodit, duke theksuar se ndërhyrje të tilla nuk duhet të jenë pjesë e futbollit.
“Këto gjëra nuk kanë vend në një fushë futbolli. Është për të ardhur keq që njerëzit sillen në këtë mënyrë, por kjo është jeta”, u shpreh ylli i Arsenalit.
Përgjigjja e Bernardo Silvës ishte shumë më e shkurtër. I pyetur në zonën mikse pas ndeshjes, mesfushori portugez iu përgjigj Ødegaard me vetëm pak fjalë: “Miku im, ky është futbolli.”
Episodi mes dy kapitenëve mbeti një nga momentet më të komentuara të sfidës, duke sjellë edhe një debat verbal pas vërshëllimës së fundit.

