Jashari merr “çelësat” e mesfushës së Zvicrës, mesazhi i tij për Granit Xhakën

Ardon Jashari mori një tjetër përgjegjësi të rëndësishme me fanellën e Zvicrës, duke luajtur në rolin që për një periudhë të gjatë ka qenë i rezervuar për Granit Xhakën.
Mesfushori i Milanit ishte titullar në fitoren 3-0 të Zvicrës ndaj Maqedonisë së Veriut, duke formuar mesfushën së bashku me Remo Freuler. Jashari qëndroi në fushë për 90 minuta dhe zhvilloi një paraqitje të vlerësuar, ndërsa mungesa e kapitenit Xhaka bëri që vëmendja të ishte e madhe mbi të.
Megjithatë, 24-vjeçari nuk dëshiron që kjo paraqitje të interpretohet si një përpjekje për të zënë vendin e Xhakës. Pas ndeshjes, Jashari theksoi se synimi i tij ishte të tregonte cilësitë personale dhe të ndihmonte ekipin.
“Nuk jam përpjekur ta zëvendësoj Granitin. Thjesht jam përpjekur të tregoj cilësitë e mia dhe të ndihmoj ekipin”, u shpreh Jashari.
Mesfushori pranoi se krahasimi me Xhakën është një vlerësim për të, por theksoi se të dy janë lojtarë me stile të ndryshme. Jashari gjithashtu ka shprehur dëshirën që në të ardhmen të ketë mundësinë të luajë përkrah Xhakës, dhe jo vetëm në vendin e tij.
Fitorja në Shkup ishte një nisje pozitive për Zvicrën në Ligën e Kombeve, ndërsa Jashari tashmë ka treguar se mund të mbajë përgjegjësi në mesfushë edhe në mungesë të një prej figurave kryesore të ekipit.




