Arrestimi i ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit pasi dyshohet se i ka dhënë informacione sekrete Ergys Agasit, i cili akuzohet për aferën ‘AKSHI’ kërkon reflektim nga Këshilli i Sigurisë. Kështu shprehet Kreshnik Spahiu gjatë një bisede në ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv pasi rasti është i paprecedentë.

Juristi e sheh lajmin e arrestimit nga të dyja anët e ‘monedhës.’ Ana e mirë sipas tij, është ndryshimi që ka ndodhur me kohën pasi më parë nuk mund të imagjinohej një ngjarje e tillë.

“Nuk ka rast më emergjent sesa të reflektojë në momentin kur një anëtar i Këshillit është pjesë e hetimit dhe nën pranga. Kemi dy etapa që Këshilli pritet t’i reflektojë. Së pari, një reflektim për ish-kryetaren e SHISH, pra skandalin e zbuluar nga Prokuroria dhe e vënë nën hetim për ato akuza që dyshohet, për shkak të të cilave, Gjykata do të marrë masën e sigurisë. Është rast i paprecedent në historinë e Shqipërisë. Është lajm i mirë, sa edhe i keq. Është lajm i mirë sepse duhet të pranojmë që vite më parë ka qenë herezi të imagjinohej arrestimi i kreut të SHISH. A ka shqiptar të imagjinojë sot sesi mund të arrestohej ish-kryetari i ndjerë, Bashkim Gazidede? Ishte njeriu më i fuqishëm në Shqipëri. Nuk imagjinohej dot”, tha Spahiu.

Disavantazhi janë kriteret që qeveritë ndër vite kanë përdorur për të zgjedhur krerët e Shërbimit Informativ. Sipas Spahiut, duke qenë Shqipëria një vend i NATO-s, kjo tregon mungesë serioziteti.

“Është lajm i keq sepse jemi një vend i NATO-s dhe përtej aferës dhe detajeve të veprës penale të kësaj marrëdhënieje, është mungesë serioziteti profili i ulët i kreut të SHISH. Thelbi i gjithë analizës mbeten kriteret, standardi i ulët që qeverisjet shqiptare ndër vite kanë zgjedhur për kreun e SHISH”, tha Spahiu.

Në vlerësimin e juristit, një hap pozitiv shënohet edhe nga Prokuroria e Posaçme lidhur me masën e arrestit shtëpiak ndaj Hysenit.

“SPAK ka bërë një hap progresiv, tolerance dhe të ndërmjetëm. Ka një reflektim që mos të kalohet në masën më të ashpër”, tha Spahiu.