Europa duhet t’i rezistojë “rikthimit të nacionalizmave” dhe të mos mbyllet në vetvete. Ky ishte paralajmërimi i presidentit francez Emmanuel Macron gjatë vizitës së Papa Leos XIV në Francë, ku në qendër të diskutimeve ishin Europa dhe paqja.
Duke folur në Metz, Macron tha se Europa duhet të mbetet një forcë e paqes, pavarësisë dhe demokracisë, ndërsa u bëri thirrje europianëve të mbrojnë një kontinent të bashkuar dhe demokratik.
Por shqetësimi i Macron nuk lidhet vetëm me luftërat. Sipas tij, demokracia dhe e vërteta kërcënohen edhe nga përçarja brenda shoqërisë dhe manipulimi në internet.
“Një demokraci nuk vdes vetëm nën predha. Ajo mund të zbehet edhe kur përhapet vetmia dhe qytetarët ndalojnë së dëgjuari njëri-tjetrin”, tha Macron.
Presidenti francez foli edhe për ndikimin e rrjeteve dhe algoritmeve, të cilat, sipas tij, përforcojnë emocionet negative dhe ushqejnë përçarjen. Ai kërkoi veprim kundër asaj që e quajti një “epidemi dezinformimi”.
Në fjalën përkrah Papa Leos XIV, Macron u ndal edhe te rrënjët e Europës, duke thënë se kontinenti është ndërtuar mbi një themel greko-romak dhe judeo-kristian.
“Europa jonë është mbi të gjitha një qytetërim. Kjo Europë e qyteteve dhe fshatrave tona, shkollave dhe universiteteve, kafeneve dhe shesheve publike, u ndërtua mbi një themel greko-romak dhe judeo-kristian”, tha ai.
Macron e cilësoi Bashkimin Europian një projekt politik të ngritur mbi paqen dhe barazinë mes vendeve anëtare, ndërsa kërkoi që Europa të mos bjerë pre e nacionalizmit përçarës dhe manipulimit online.









Komente
Komento