Magjistratët refuzojnë Ramën, anulohet takimi me Kryeministrin: Nuk ka negociata për pagat

Nga Anesti Barjamemaj
28 Shtator 2026, 14:51 | Politikë

Magjistratët refuzojnë Ramën, anulohet takimi me Kryeministrin:

Tryeza konsultative mes Kryeministrit Edi Rama dhe magjistratëve e parashikuar për t’u zhvilluar mesditën e kësaj të hëne nuk u zhvillua. Ftesa e Ramës për të zhvilluar dialog me gjyqtarët, prokurorët dhe shoqatat e togave të zeza është refuzuar nga këta të fundit duke arsyetuar se çështja e pagave të tyre do të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese.

Të gjitha institucionet e drejtësisë njëra pas tjetrës dërguan në adresë të Kryeministrisë përgjigjen refuzuese për t’u ulur në tryezë.

Unioni i Gjyqtarëve: “Deri në një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me padinë e paraqitur nga shoqatat e magjistratëve, është e pamundur për ne pjesëmarrja në tryezën e konsultimit, pa e konsideruar këtë mospjesëmarrje, si një mbyllje të dialogut institucional. Për kundrazi, mbetemi të hapur për çdo komunikim dhe dialog institucional në një moment të përshtatshëm, pas qartësimit të situatës nga Gjykata Kushtetuese”.

Arsyen e refuzimit nga magjistratët Kryeministria duket se e mirëkupton dhe e ka anuluar takimin, ndërsa i njofton se puna për ligjin e ri do të nisë prej ditës së nesërme dhe dera e ekzekutivit për dialog mbetet e hapur.

Përgjigja e Kryeministrisë: “Dëshirojmë t'ju bëjmë me dije se duke filluar nga dita e nesërme, do të vijojmë punën për hartimin e ligjit të ri mbi pagat, mbi të cilin ishte përgatitur edhe një parashtrim i përgjithshëm, me synimin për ta shtruar si pjesë të diskutimit dhe dialogut të përbashkët gjatë takimit”.

Ligji për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve prej muajit gusht ka përplasur gjyqësorin me ekzekutivin. Parlamenti pak ditë më parë miratoi ligjin e ri për pagat por magjistratët mbetën të pakënaqur dhe çështja është rikthyer sërish në Gjykatën Kushtetuese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos