Për më shumë se 3 orë Komisioni i Ligjeve debatoi për projektligjin e hartuar nga demokratët për ndarjen e vendit në 100 bashki.
Nënkryetari i Komisionit Oerd Bylykbashi kërkoi që nisma e opozitës për hartën e re territoriale të shqyrtohet së bashku me nismën e Partisë Socialiste përsa kohë që janë dy projektligje për të njëjtën cështje.
Por kjo kërkesë e PD parashikon që të nisë edhe njëherë procesi i konsultimit për 2 muaj e vetëm në fund të muajit nëntor parlamenti të votojë për hartën e re territoriale, duke e bërë të pamundur që ajo të zbatohet për zgjedhjet e ardhshme lokale. Një kërkesë kjo e papranueshme për PS.
“Kemi ngutje sepse ne duam që nisma e deputetëve të PS të votohet brenda afateve në të cilat Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve për pushtetin vendor, sepse ne duam të zbatohet në zgjedhjet e ardhshme. Ky është qëndrimi ynë politik”, tha Ulsi Manja.
Partia Demokratike akuzoi mazhorancën se prej një viti po zhvillon një proces fals diskutimi e konsultimi, pasi sipas saj numri i bashkive ishte përcaktuar nga kryeministri kohë më pare.
Mazhoranca e rrëzoi me votë kërkesën e opozitës duke vazhduar procesin e dëgjesave për projektligjin e propozuar nga deputetët socialistë.
Drafti i hartuar nga PS parashikon ndarjen e vendit ne 46 bashki dhe pritet të votohet javën e ardhshme në 8 tetor.
Lini një Përgjigje