Brigjet e lumit Mat në zonën e Pllanës në Lezhë janë kthyer në vendgrumbullim ilegal mbetjesh. Banorët thonë se mbetjet hidhen gjatë natës, ndërsa bashkia justifikohet me pamundësinë e monitorimit të territorit.
Syri tv
Kjo është panorama që ofrohet përgjatë brigjeve të lumit Mat, në zonën e Pllanës në Lezhë. Hapësirat pranë rrugës nacionale janë kthyer në një vendgrumbullim të paligjshëm mbetjesh, ku hidhen inerte dhe materiale të ndryshme, duke ndotur mjedisin përreth.
Sipas banorëve të zonës, hedhja e mbetjeve kryhet kryesisht gjatë orëve të natës, kur prania e personave të tjerë është më e pakët. Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse, shtimin e kontrolleve dhe identifikimin e personave që e kanë kthyer këtë hapësirë në një vendgrumbullim mbetjesh.
Nga ana tjetër, Bashkia Lezhë bën me dije se është në dijeni të problematikës, por përgjegjësinë e heq duke u shprehur se monitorimi i kësaj zone është i vështirë.
Ndotja e brigjeve të lumit Mat, si në territorin e Lezhës ashtu edhe në atë të Kurbinit, vijon të mbetet një problem i përsëritur prej vitesh. Përveç hedhjes së mbetjeve dhe inerteve, djegia e tyre përbën një tjetër shqetësim për mjedisin dhe banorët e zonës.
© SYRI.net