Tentuan t’i merrnin 100 mijë euro Armand Dukës, se i donin për Taulant Ballën. Reagon kreu i grupit të PS
Dy të rinj janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se kanë tentuar t’i merrnin 100 mijë euro kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, përmes një skeme mashtrimi online, duke përdorur si referencë emrin e Taulant Ballës.
Pas operacionit, kreu i grupit parlaemtar të PS-së, Taulant Balla ka përgëzuar Policinë e Shtetit për ndërhyrjen dhe ka apeluar qytetarët që të tregohen të kujdesshëm ndaj rasteve të mashtrimit në rrjetet e komunikimit online.
“E përgëzoj Policinë e Shtetit Tiranë, të cilët me shumë efikasitet kanë goditur një rast tjetër kriminal mashtrimi në rrjetet e komunikimit on-line. Qytetarët duhet të bëjnë shumë kujdes dhe duhet ta denoncojnë menjëherë çdo rast! Ndërsa rrjetet sociale duhet të forcojnë kontrollin ndaj llogarive fallco”, është shprehur Balla.
Rasti është një tjetër sinjal për rrezikun e mashtrimeve përmes përdorimit të profileve dhe identiteteve të rreme në rrjetet sociale dhe platformat e komunikimit.
Skema e përdorur
Dy të rinj nga Elbasani, Edison Korra, 24 vjeç, dhe Orest Balla, 23 vjeç, kanë kontaktuar Dukën përmes aplikacionit “Signal”, duke u prezantuar në emër të Taulant Ballës dhe duke i kërkuar shumën prej 100 mijë eurosh në kriptomonedhë.
Duka ka dyshuar për komunikimin dhe ka vënë në dijeni policinë. Në vijim të operacionit, ai u ka komunikuar autorëve se për marrjen e shumës duhej të kontaktonin me djalin e tij.
Policia ka organizuar më pas një takim me autorët përmes një agjenti të infiltruar. Takimi është zhvilluar në Elbasan, ku dy të rinjtë kanë shkuar me pritshmërinë për të marrë shumën e kërkuar.
Në momentin e takimit, Korra dhe Balla janë arrestuar në flagrancë nga policia.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të plotë rrethanat dhe mënyrën se si është organizuar skema e dyshuar e shantazhit dhe përfitimit të paligjshëm.
Mashtruesit po merrnin 100 mijë euro për Taulant Ballën, arrestohen

