
Ndonëse në një zonë të thellë në qarkun e Kukësit me nxënës, numri i të cilëve bie vit pas viti dhe pa asnjë mbështetje nga zyra arsimore për transportin, mësuesi i historisë Bledar Tota shpenzon nga rroga e tij modeste për të përshkruar 30 km rrugë parrugë, që tu japë mësim nxënësve të tij në zonën e thellë malore të Grykë Çajës.
Kjo është rruga që duhet të bëjë për çdo ditë mësuesi i historiseë Bledar Tota për t’u dhënë mësim nxënësve të tij në shkollën 9-vjecare “Isuf Seferi” në fshatin Fshat të njësisë administrative Grykë Çajë.
Duke qenë se ai është i vetmi mësues që vjen nga qyteti i Kukësit për të dhënë mësim në këtë zonë të thellë malore, zyra vendore e arsimit nuk e ka të mundur të vendos transport për të. Por kjo nuk e ka frenuar Bledarin, që me shpenzimet nga rroga që merr të përballojë transportin dhe të paraqitet për çdo ditë pranë nxënësve të tij madje edhe në kohën e dimrit kur dëbora ja vështirëson së tepërmi rrugën.
E ndërsa vështirësitë nuk e kanë ndalur të ndjekë pasionin e mësimdhënies, Bledari i druhet vetëm një faktori që po përparon çdo vit me ritme të shpejta. Shpopullimi dhe rënia e numrit të nxënësve. Sot kjo shkollë ku ai jep mësim ka patur dikur 500 nxënës, ndërsa sot numërohen vetëm 33 nxënës që marrin mësim në klasa kolektive. (A2 Televizion)