E hënë, 28 Shtator 2026 Lajme Ora 15:00 dhe Moti deri në 15:40 Në vijim ora 15:40: Fat i Hidhur Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Historia e 81-vjeçarit preku mijëra njerëz, mblodhi 281 mijë dollarë për bashkëshorten me kancer, por GoFundMe anuloi fushatën

Një fushatë për mbledhjen e fondeve për një 81-vjeçar në Dallas të Teksasit është mbyllur nga platforma GoFundMe, pasi kompania tha se kishte konstatuar shkelje të kushteve të përdorimit. Të gjitha paratë e mbledhura iu kthyen donatorëve.

Rasti i Don Johnson u bë viral pasi një video nga kamera e ziles së një banese e tregonte 81-vjeçarin duke transportuar me vështirësi dy valixhe të rënda nëpër shkallë. Johnson punon prej rreth tre vitesh si kontraktor që u kthen pasagjerëve bagazhet e humbura, pavarësisht moshës së tij.

Reklamë

Sipas historisë së bërë publike, ai vazhdonte të punonte për të përballuar shpenzimet e trajtimit të bashkëshortes së tij, Josephine, e cila vuan nga kanceri. Çifti është së bashku prej 57 vitesh.

Pas publikimit të videos, Erin Howell, gruaja që e pa Johnson duke transportuar bagazhet, krijoi një fushatë në GoFundMe për ta ndihmuar. Reagimi i publikut ishte i menjëhershëm: më shumë se 5,300 persona dhuruan mbi 281 mijë dollarë.

Por fushata u hoq më pas nga platforma. Në një deklaratë për Fox 4, GoFundMe tha se, pas një shqyrtimi nga ekipi i sigurisë, llogaria e organizatores dhe fushata u konstatuan në shkelje të kushteve të shërbimit. Kompania deklaroi se, për këtë arsye, fushata u anulua dhe fondet iu kthyen donatorëve.

GoFundMe nuk bëri të ditur se cilat ishin konkretisht të dhënat e konsideruara të pasakta. Një përfaqësues i kompanisë tha se ekipi i saj Trust & Safety kishte identifikuar “deklarata të rreme faktike”, të cilat bien ndesh me rregullat e platformës për autenticitetin dhe transparencën.

Para anulimit të fushatës, Johnson kishte shprehur shpresën se paratë e mbledhura do t’i mundësonin të ndalonte së punuari. “Mendoj se do të mund të ndaloj së punuari dhe kjo është e jashtëzakonshme”, kishte deklaruar ai. Bashkëshortja e tij kishte thënë se mbështetja e marrë nga njerëzit i kishte dhënë çiftit një ndjesi gëzimi dhe shprese.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.