Këshilli Bashkiak i Maliqit ka dalë kundër propozimit për bashkimin e kësaj bashkie me Bashkinë Korçë, në kuadër të procesit të rishikimit të ndarjes administrativo-territoriale të vendit.
Në mbledhjen e zhvilluar këtë të hënë, këshilltarët shqyrtuan mendimin zyrtar që do t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë. Pas diskutimeve, propozimi për bashkimin me Korçën u rrëzua me 21 vota kundër dhe vetëm 1 votë pro, nga 22 vota gjithsej.
Vendimi u mbështet edhe në rezultatet e dëgjesave publike të zhvilluara në territorin e Bashkisë Maliq, ku, sipas përfaqësuesve të këshillit, qëndrimi dominues i qytetarëve ka qenë kundër bashkimit.
Kryetarja e komisionit, Pranvera Begolli, tha se mendimi i qytetarëve është reflektuar në raportin përmbledhës të konsultimeve publike, ndërsa komisioni prej pesë anëtarësh ka dalë unanimisht kundër bashkimit të Maliqit me Korçën.
Ndërkohë, këshilltari Yllson Ibrahimllari tha se bashkimi do të sillte, sipas tij, largim të shërbimeve nga qytetarët dhe vështirësi të tjera për komunitetin. Edhe këshilltari Lulëzim Hoxha u shpreh se shumica dërrmuese e pjesëmarrësve në dëgjesa kanë kundërshtuar bashkimin.
Deputetja Ledina Aliolli deklaroi se vendimi i këshillit përfaqëson qëndrimin e shprehur nga qytetarët gjatë konsultimeve, ndërsa u bëri thirrje institucioneve qendrore të marrin në konsideratë këtë qëndrim.
Mendimi i miratuar nga Këshilli Bashkiak i Maliqit pritet t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë, në kuadër të procesit të rishikimit të ndarjes administrativo-territoriale.










Komente
Komento