
Një tjetër natë tmerri për banorët e Ukrainës. Dronët rusë goditën rajone të ndryshme të vendit, përfshirë Kievin, duke shkaktuar të paktën 5 viktima e dhjetëra të plagosur. Një zjarr përfshiu një treg në zonën Sofiiska Borshchahivka, në periferinë perëndimore të kryeqytetit, ku humbën jetën të paktën 2 vetë. Sipas kryebashkiakut Vitali Klitchko të paktën 9 vetë, përfshirë një fëmijë ishin plagosur në këtë sulm, ndërsa ishte goditur gjithashtu edhe një pallat lartë banimi në periferinë lindore.
Në qytetin verior të Sumit, 3 bomba rrëshqitëse ranë pranë një qendre suporti familjar duke shkaktuar 2 viktima, ndërsa në Kharkiv u plagosën të paktën 22 vetë përfshirë fëmijë, pas shënjestrimit të një godine banimi, ndërsa një person u vra. Në një deklaratë të hënën, zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov, tha se Ukraina po paguante çmimin e sulmeve të fundit kundër Rusisë.
“Ukraina do të duhet të paguajë një çmim për veprimet që kanë ndodhur gjatë muajve të fundit. Kjo është ajo që po ndodh tani. Forcat tona të armatosura po vazhdojnë operacionin ushtarak special, duke goditur në mënyrë të vazhdueshme objektivat në Ukrainë që i konsiderojnë të përshtatshme.”
Presidenti ukrainas Volodimir Zelebski dënoi ashpër shënjestrimin e civilëve duke i cilësuar këtë si akte terrorizmi. “Rusia nuk ka asnjë synim ushtarak, thjesht po përpiqet të thyejë njerëzit duke i shkaktuar dëme të mëdha si shoqëri!”, ishte deklarata e Zelenskit. Sipas presidentit ukrainas Rusia kishte lëshuar 277 dronë të llojeve të ndryshme që prej së shtunës, 155 prej të cilëve me me motor reaktiv. Moska i ka përdorur kohët e fundit më shpesh këta dronë, pasi ata fluturojnë në lartësi më të mëdha dhe janë më të vështirë për t’u interceptuar. (A2 Televizion)