Aktualitet

Policia zbardh 6 vjedhje në Kavajë, 2 të dyshuarit kapen në një automjet të vjedhur…

Policia ka zbardhur 6 raste vjedhjesh në Kavajë dhe ka arrestuar dy personat e dyshuar si autorë, të cilët u kapën duke qarkulluar me një automjet të vjedhur.

Arrestimet u kryen gjatë operacionit të koduar “Cooperation”, të zhvilluar nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës.

Sipas policisë, dy të arrestuarit kanë precedent për vjedhje dhe kundërshtim të punonjësve të policisë.

Gjatë operacionit dhe hetimeve janë sekuestruar 4 automjete, 3 targa, 3 çelësa automjetesh dhe 4 celularë.

Policia ka sekuestruar gjithashtu veshje të përdorura gjatë kryerjes së vjedhjeve dhe mjete për hapjen e automjeteve.